2011-10-13 14:53:44

Ipeshkvijtë evropianë janë pranë bashkësisë kopte. Qeveritë të mbrojnë të krishterët


“Para ngjarjeve të ditëve të fundit në Kajro, të sigurtë se jemi të bashkuar në të njëjtin Krisht, vdekur e ringjallur, si Ipeshkvij Evropianë, duam të pohojmë afërsinë tonë me të gjithë qytetarët e Egjiptit e, në veçanti, me vëllezërit e bashkësisë së krishterë kopte, të goditur këtyre ditëve nga një dhunë, që vret paqen, bashkëjetesën ndërmjet feve, lirinë dhe dinjitetin e njeriut”. Ky është mesazhi i sotëm i kreut të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës, kardinalit Peter Erdë, i cili u kërkon qeverive të vendeve evropiane të mbajnë qëndrim në mbrojtje të të gjithë atyre, që, si të krishterët, pësojnë sulme thjesht për shkak të përkatësisë së tyre fetare, etnike, ose shoqërore.
“Prania e të krishterëve koptë në Egjipt – kujton kardinali – është e lashtë sa predikimi i Shën Markut Ungjilltar e, që atëherë, bashkësia e tyre është dhuratë për shoqërinë e për krejt Lindjen e Mesme. Qytetarë si gjithë të tjerët, të krishterët impenjohen në ndërtimin e një shoqërie, që duhet të mbajë vulën e lirisë, të drejtësisë, të së vërtetës e të dashurisë. Në këtë vend të dashur – vazhdon Erdë – miqësia ndërmjet njerëzve me fe të ndryshme është shenjë shprese”.
Kryetari i ipeshkvijve të Evropës i lutet Zotit për të gjithë të krishterët e Egjiptit dhe i kërkon Atij t’u japë forcë për të qenë gjithmonë dëshmitarë të vërtetë të Krishtit e të vëllazërimit ndërmjet njerëzve, pa të cilin nuk mund të ketë të ardhme për njerëzimin.







All the contents on this site are copyrighted ©.