2011-10-13 15:59:09

Benedikti XVI priti Patrikun e Jeruzalemit. Tvual: Papa e ka për zemër paqen dhe drejtësinë për të gjithë, jo vetëm për të krishterët


Benedikti XVI priti sot paradite në Vatikan, Patrikun e Jeruzalemit të Latinëve, Fuad Tvual, me rastin e Konferencës së ipeshkvijve latinë të rajoneve arabe, që po zhvillohet këto ditë në Romë. Prej tyre erdhi thirrja që të mos lihen vetëm të krishterët e Lindjes së Mesme, të respektohen të drejtat e njeriut dhe të pakicave fetare në zonë. Në përfundim të audiencës, intervistuam vetë Patrikun. Ta dëgjojmë:
I jam shumë mirënjohës Papës, i cili e ka gjithnjë për zemër Tokën e Shenjtë dhe paqen në Lindjen e Mesme. Këtë e shohim nga ndërhyrjet e tij: si pardje për Egjiptin, ashtu edhe për ne. Mendon për ne, mendon për të krishterët, mendon për paqen për të gjithë! Nuk mund të kemi paqe për një popull e jo për tjetrin: ose të gjithë gëzojmë paqen, ose fatkeqësisht, do të vazhdojmë me ciklin e dhunës. Takimi i sotëm ishte shumë atëror. Ati i Shenjtë dëgjon me kujdes. Dëgjon britmën tonë për drejtësi, për paqe, për jetë normale. Kujtuam fjalimet e tij të bukura gjatë vizitës në Tokën e Shenjtë, para dy vjetësh. Në fjalimin e fundit, që i preku të gjithë në shpirt, pati thënë: “Si mik i izraelitëve, si mik i palestinezëve, ajo që më shkaktoi më shumë dhimbje është ky mur, që i ndan njerëzit: duhet të fillojmë ta shembim, duke kthyer zemrën; të fillojmë me kthimin sa të vogël, aq edhe të madh, të zemrave e të shpresojmë se ky mur, një ditë, do të zhduket”: Bashkë me Papën, i ftojmë të gjithë të vijnë të na shohin: me shtegtime, me lutje e me solidaritet.
“Pranvera arabe” zgjoi shumë shpresa, por tani duket se ka më tepër shqetësim nga ana e të krishterëve, për rrjedhën, që mund të marrin ngjarjet, apo jo?
Këto ngjarje, kjo “pranverë arabe”, për mua janë si semafori, i cili më parë ishte gjithnjë i kuq – askush s’mund të kalonte, ose ta hapte gojën – e tani është i gjelbërt: të gjithë “hidhen”, por nuk dimë se ku do të na çojë rruga. Pastaj, në lojë hyjnë elemente ekstremiste, që duan ta shkatërrojnë shpresën. Unë vazhdoj të jem optimist, sepse ne, të krishterët, jemi pjesë përbërëse e popullit, në të mirë e në të keq. Por duam ta ndjejmë lirinë e lëvizjes, të ndërgjegjes, të kultit në jetën e përditshme. Secili, sipas ndërgjegjes së vet, të ketë mundësi për t’u shprehur lirisht para Zotit e para historisë, pavarësisht nëse dëshiron të bëhet i krishterë, ose mysliman. Jemi akoma larg kësaj lirie.







All the contents on this site are copyrighted ©.