2011-10-12 16:44:30

Treguesi global i urisë në botë në rënie, por me prirje jo të njëjta


Treguesi global i urisë në botë ka rënë gjatë 21 vjetëve të fundit, por në masë të vogël e në mënyrë jo të njëjtë për të gjitha vendet. Në pesë shtete afrikane (Burundi, Komore, Bregu i Fildishtë, Republika Demokratike e Kongos, Svacilandi) dhe në një aziatik (Koreja e Veriut) situata është keqësuar. Republika Demokratike e Kongos është vendi, ku njerëzit vuajnë më shumë nga uria në botë. E ndjekin në këtë kalsifikim dramatik, Burundi dhe Eritrea. Këto të dhëna janë rezultati i studimit “Treguesi global i urisë” botuar në Itali nga “Link 2007”, grupi që përmbledh 10 ndër organizatat më të rëndësishme jo qeveritare, në bashkëpunim me CESVI-n (Bashkëpunim e Zhvillim) dhe me COSV-in (Koordinimi i Organizatave për Shërbimin Vullnetar).
Studimi merr parasysh tre tregues: përqindjen e personave pa ushqim, përqindjen e fëmijëve deri në 5 vjeç nën peshë dhe vdekshmërinë foshnjore. Treguesi global është zvogëluar me 25% që nga viti 1990, por në 26 vende, ai arrin nivele alarmuese. Gjithashtu, në studim pranohet se të dhënat janë të pjesshme. Raporti nuk merr parasysh gjendjen dramatike, të krijuar pas thatësirës së Bririt të Afrikës, ku janë goditur veçanërisht Somalia, Kenia, Etiopia, Gjibuti, Sudani dhe Republika e re e Sudanit Jugor.
Studimi shqyrton sidomos ndikimin negativ, që kanë çmimet e ushqimeve në jetën e përditshme të bujqve. Rritja dhe ndryshueshmëria e çmimeve – vërehet – varen sidomos nga rritja e kultivimit për biokarburante, nga spekullimi me lëndët e para e nga ndryshimet e klimës. Dhjetravjeçarë përparime në luftën kundër urisë, nënvizohet në raport, rrezikojnë të shkojnë kot para luhatjes së çmimeve.







All the contents on this site are copyrighted ©.