2011-10-12 16:44:17

Thirrje e Papës pas dhunës kundër koptëve ortodoksë në Kajro: të respektohen të drejtat e të gjithëve, sidomos të pakicave


Gjatë audiencës së sotme të përgjithshme, Papa Benedikti XVI bëri këtë thirrje për ngjarjet e fundit në Egjipt, ku të krishterët ortodoksë u ndeshën me policinë, me një bilanc prej 36 viktimash e mëse 300 të plagosurish:RealAudioMP3
“Jam thellësisht i trishtuar nga episodet e dhunës, që kanë ndodhur në Kajro të dielën e kaluar. Bashkohem me dhimbjen e familjeve të viktimave e të krejt popullit egjiptian, zemërshqyer nga përpjekjet për të minuar bashkëjetesën paqësore ndërmjet bashkësive të veta, të cilën është thelbësore ta mbrojmë, sidomos në këtë çast tranzicioni. I këshilloj besimtarët të luten që ajo shoqëri të ketë paqe të vërtetë, të bazuar mbi drejtësi, mbi respektimin e lirive dhe të dinjitetit të çdo nënshtetasi. Përveç kësaj, mbështes përpjekjet e autoriteteve egjiptiane, civile e fetare, në favor të një shoqërie, në të cilën të respektohen për të gjithë të drejtat e njeriut e, në veçanti, të drejtat e pakicave, për të mirën e bashkimit kombëtar”.
Kujtojmë se të krishterët reagonin ndaj një serie të gjatë sulmesh kundër bashkësisë e kishave të tyre, e fundit prej të cilave, qe kisha kopte ortodokse e Asuanit. Manifestimi paqësor në Kajro, në të cilin merrnin pjesë edhe grupe të moderuara myslimanësh, u kthye në ndeshje me armë me ushtrinë dhe me grupe integralistësh, që nuk dihet si përfunduan në mesin e protestuesve. Ndeshjet vazhduan edhe të hënën, para selisë së televizionit shtetëror dhe gjatë funeralit të disa prej viktimave.
Masakra e ortodoksëve lëkund besueshmërinë e qeverisë aktuale egjiptiane, për të cilën dëgjohen e përgënjeshtrohen zëra për dorëheqje. Kreu i juntës ushtarake, Husein Tantaui nuk ka pranuar dorëheqjen e zv.kryeministrit. Ndërkaq, sot, Komizioni Zgjedhor Egjiptian fillon të pranojë kandidaturat për zgjedhjet parlamentare të nëntorit. E ndoshta këtu mund të gjendet motivi i dhunës kundër të krishterëve, siç na shpjegon eprori i Provincës françeskane të Egjiptit, fra Kamal Uiliam:
Të gjithë përpiqen të japin shpjegime, por ka diçka të çuditshme: si është e mundur të ndodhë kjo pikërisht tani, që po fillojnë përgatitjet për zgjedhjet parlamentare? Duket si diçka e bërë enkas për t’i shtyrë… Edhe një gjë tjetër: si është e mundur, që kur manifestimet i bëjnë të krishterët, ka gjithnjë ndeshje ndërmjet ushtrisë, policisë dhe protestuesve? Një nga gratë myslimane, që manifestonte bashkë me të krishterët dhe kërkonte atë, që ata kërkonin, deklaroi se papritur, nga mbrapa, u qëllua kundër njërit prej ushtarëve…
Fra Kamal, me protestën e koptëve ortodoksë ishin bashkuar edhe shumë të rinj myslimanë, që u përpoqën t’i mbronin të krishterët…
Sigurisht e, këtu është problemi. Në manifestimet e revolucionit të 25 janarit, të gjithë e ndihmonin dhe e mbronin njëri-tjetrin. Myslimanët formonin një rreth për të mbrojtur të krishterët që luteshin, ndërsa të krishterët u sillnin myslimanëve ujë për abdes… Pra, ekziston kjo ndihmë e ndërsjelltë, prandaj nuk shpjegohet se pse kur manifestojnë të krishterët, përfundon keq. Pastaj, si është e mundur që sa herë bëhet një hap përpara në këtë tranzicion paqësor të vendit, ndodh diçka? Vështirë të çrrënjoset strategjia e urrejtjes, sepse ajo ekziston prej shekujsh. Vështirë të zhduket krejtësisht, sidomos tani që të gjithë përpiqen të fitojnë shumicën në zgjedhjet parlamentare.
A ka rrezik të fitojnë grupet fondamentaliste?
Ekziston kjo frikë, por shumica e ekspertëve të politikës thonë se ata nuk do ta arrijnë kurrë shumicën e votave. Maksimumi, që mund të marrin, është 20%. Por, fondamentalistët myslimanë luajnë edhe me injorancën e popullsisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.