2011-10-12 14:51:08

Programi i takimit të 25-të ndërfetar në Asizi me 27 tetor


Konferenca Ipeshkvnore e Umbries e paraqet si “një ditë reflektimi, dialogu e lutjeje për paqen e drejtësinë në botë, ashtu siç pati bërë 25 vjet më parë Papa Gjon Pali II”. Fjala është për 27 tetorin, ditë, në të cilën Papa Benedikti XVI do të shkojë në Asizi për Takimin ndërfetar, që e pati zanafillën 25 vjet më parë në lutjen e të Lumit Vojtila me krerët e feve të tjera nga e gjithë bota. Tema e sivjetme është “Shtegtarë të së vërtetës, shtegtarë të paqes”.

Benedikti XVI do të niset në orën 8 të mëngjesit, nga stacioni hekurudhor i Vatikanit, me trenin, ku do të hipin mëse 300 vetë, krerë fetarë, prelatë, autoritete dhe shoqërues të tjerë. Me të mbërritur në Asizi, delegacionet e ndryshme do të shkojnë në Bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve, ku do të kujtohen takimet e mëparshme ndërfetare e do të reflektohet mbi temën e ditës.

Pas drekës, çasti i heshtjes, ku secili prej pjesëmarrësve do të lutet për paqen. Pasdite, njerëzit do të përshkojnë në procesion rrugët e qytetit, për t’u ndalur para Bazilikës së Shën Françeskut të Asizit, ku zakonisht përfundon takimi me përtëritjen e impenjimit solem për paqen.
Kontributi i njerëzve të fesë për paqen në botë është tejet i rëndësishëm.
Në fjalimin e mbajtur në Uestminster Holl të Londrës më 2010, Papa Benedikti XVI e mbrojti rolin e fesë në shoqërinë bashkëkohore. Kontributi që mund të japë feja në procesin e paqes në botë është i pazëvendësueshëm. Në thelb të çdo feje është rregulla e artë, që na fton të mos u bëjmë të tjerëve atë, që s’duam të na e bëjnë neve. Kjo është dëshira praktike, që mund të udhëheqë procesin e paqes në botë.
Krerët e bashkësive fetare, duan të tregojnë, përmes përvojës konkrete, se është e mundur një sinergji ndërfetare për paqen, për të mirën e përbashkët, për luftën kundër varfërisë, për ndërhyrjet në zonat e dëmtuara nga dhuna e nga fatkeqësitë natyrore. Pra duhet nënvizuar nevoja e përforcimit të mundësisë së dialogut dhe të bashkëpunimit, impenjim, që pas ngjarjeve të hidhura të 11 shtatorit e dukjes së fantazmës së ndeshjes ndërmjet qytetërimeve, dhe e shkallëzimit të dhunës në vendet arabe e gjetiu në botë, bëhet detyrë morale për të gjithë njerëzit vullnetmirë.
Jetojmë pra në një botë, karakteristika e së cilës është frika nga tjetri dhe nga fakti se është i ndryshëm prej nesh. Fatkeqësisht, zëra ekstremiste dhe fanatike përfitojnë shpesh nga kjo për të sabotuar përpjekjet e feve për paqen e bashkëjetesën paqësore. Prandaj sfida më e madhe është të ecim së bashku me të tjerët drejt përvojave të përbashkëta, për të zbuluar ide të reja, që e bashkojnë njerëzimin në veprimtarinë për paqen, për lirinë, për drejtësinë, për zhvillimin dhe për të mirën e gjithë botës.







All the contents on this site are copyrighted ©.