2011-10-12 16:42:47

Papa: në natën e dhimbjes, në errësirën e dyshimeve e të krizave, Zoti është gjithnjë pranë nesh.


“Beso në praninë e Zotit, edhe kur kalon çaste të errëta, të padurueshme!” Ky është mesazhi kryesor i reflektimit të sotëm të Papës mbi Psalmin 126, përballë mijëra besimtarëve, që morën pjesë në takimin e së mërkurës, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Në përfundim të audiencës, Benedikti XVI ripohoi se vlera e jetës është e shenjtë e prandaj duhet respektuar plotësisht.RealAudioMP3

“Zoti bën mrekulli në historinë e njerëzve e Psalmi 126 kremton pikërisht këtë siguri, e cila vijon t’i ngushëllojë breznitë, që zëvendësojnë njëra-tjetrën në rrjedhë shekujsh”. Benedikti XVI e aktualizoi mendimin e psalmistit të lashtë, duke iu drejtuar 30 mijë besimtarëve të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, nën rrezet e një dielli, që të kujtonte më shumë verën, sesa fillimin e vjeshtës. Strofat e Psalmit, mbi të cilat u mbështet Papa për reflektimin e sotëm, janë një tregim prekës për çastin fatbardhë, kur populli i Izraelit rikthehet në atdhe, nga mërgimi i largët e i mundimshëm babilonez. Gjatë reflektimit, Benedikti XVI u ndalua në mënyrë të veçantë tek ndjenjat, që provojnë izraelitët në këtë çast, me bindjen se ky kthim është mrekulli e Zotit:
“Populli i besëlidhjes, i shpërndarë ndërmjet paganëve, i drejton pyetje plot ankth një Zoti, që duket sikur e ka harruar, e ka lëshuar dore. Prandaj përfundimi i shpërnguljes dhe rikthimi në atdhe, jetohen si rikthim i mrekullueshëm në fe, në besim, në bashkim me Hyjin; është rikthim i fatit, që kërkon edhe kthimin e zemrës, faljen, rilidhjen e miqësisë me Hyjin”.
Frika e gëzimi, dritëhije të shpirtit njerëzor, pohoi Papa, marrin përgjigjen e pritur në stabilitetin e ndërhyrjeve hyjnore që, vijoi Ati i Shenjtë, shfaqen shpesh në forma krejt të papritura. E këto forma ua kalojnë shumëfish atyre, që mund të përfytyrojë mendja e varfër njerëzore:
“Zoti bën mrekulli në historinë e njerëzve. Duke kryer veprën e shëlbimit, u zbulohet të gjithëve si Zot i gjithëpushtetshëm e i mëshirshëm, strehë e të shtypurit, që nuk e harron kurrë britmën e dëshpëruar të të varfërit, që e do tagrin e drejtësinë, që e rrëmbushë përplot me dashurinë e tij gjithë rruzullimin”.
Kjo siguri e veprimtarisë hyjnore, e cila dëshiron vetëm e vetëm të mirën e njerëzimit, duhet t’ua hapë sytë e zemrat, posaçërisht të krishterëve. Në lutjen tonë, shpjegoi Benedikti XVI, duket t’i kujtojmë më shpesh ngjarjet e ndryshme të jetës, çastet kur lartuam zërin e dridhshëm drejt Zotit. E ai na u gjegj, na mbrojti, na ndihmoi, na shpëtoi. Na e ndryshoi fatin, duke na e shndërruar vajin në këngë. Meriton plotësisht, prandaj, të lavdërohet për ndihmën, dashurinë, mëshirën ndaj nesh, të padenjëve:
“Duhet të jemi më të vëmendshëm ndaj të mirave, që na bën Zoti. Nuk na mungon gatishmëria, kur është fjala për të zgjidhur problemet tona, për të kapërcyer vështirësitë e pengesat, që na dalin përpara e gati-gati harrojmë se të gjitha sendet e bukura vijnë nga Zoti. Kjo vëmendje, e cila bëhet mirënjohje, është shumë e rëndësishme për ne, na kujton mirësinë e Zotit, duke na ndriçuar edhe në orët më të errëta”.
Pjesa e dytë e Psalmit, vijoi Papa, duket sikur përshkohet nga një mendim kontradiktor. Në vargjet e para të krijohet përshtypja se fati i Izraelit u rivendos, ndërsa në vijim, psalmisti duket sikur kërkon “edhe diçka tjetër, që nuk është, por që duhet realizuar”. Vihet theksi mbi shëlbimin, i cili përshkruhet përmes simbolit të mbjelljes së farës. Nuk është ende bukë, por pritet të bëhet bukë, kur të vijnë të korrat, që nuk dihet në se do të jenë apo jo të begata:
Të hedhësh farën, është gjest besimi e shprese: veprimtaria e njeriut është e nevojshme, por pastaj vjen pritja, gjatë së cilës bujku e ndjen veten fare të pafuqishëm, duke e ditur mirëfilli se shumë faktorë do të jenë vendimtarë për të arritur në korrje të mbara e se rreziku i dështimit mbetet gjithnjë në pritë (...). Është misteri i fshehur i vetë jetës, janë “veprat e mëdha” të mrekullueshme të shëlbimit, që Zoti kryen në historinë e njerëzve, të cilët nuk ua njohin dot sekretin”.
Krahasimi i zgjatur, përdorur nga psalmisiti, tha në përfundim Papa, e gjen shpjegimin e vet në misterin e vdekjes e të ngjalljes së Krishtit. Besimtari, duke e jetuar këtë errësirë, errësirë e farës së hedhur, është si kokrra e grurit, që kalbet, për të dhënë shumë fryt:
Historia jonë, edhe pse e përshkuar tepër shpesh nga dhimbja, nga pasiguria, nga çaste të hidhura krize, mbetet histori e shëlbimit dhe e rivendosjes së fateve (...). Duhet ta mësojmë këtë edhe në netët e errëta, të sigurtë se drita nuk shuhet asnjëherë. Ajo është! Të mos e harrojmë kurrë, prandaj, se Zoti është gjithnjë i pranishëm në jetën tonë, në terr e në dritë”.
Në çastin e pëshëndetjeve, Papa iu drejtua veçanërisht studentëve nga vende të ndryshme të botës, të regjistruar në Kolegjin e Shën Palit në Romë, si dhe përfaqësuesve të Legjionit të Marisë, duke i nxitur ta bëjmë gjithnjë më të dukshme dëshminë e krishterë në të gjitha fushat e shoqërisë, nën syrin amëtar të Nënës së Krishtit.
Për t’u kujtuar edhe përshëndetja drejtuar pjesëmarrësve në Konferencën italiane të shëndetësisë publike: Papa uroi që: “Puna e rëndësishme e tyre në shërbim të njeriut, të japë fryte të dyfishta, duke forcuar vetëdijën e qytetarëve për vlerën e shenjtë të jetës e duke i impenjuar në mbrojtjen e së drejtës që ka çdo njeri për respektimin e plotë të kësaj së mire të dorës së parë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.