2011-10-12 15:45:13

Papa: ka ardhur koha e Ungjillëzimit të Ri


Të shtunën e ardhshme pas dite Benedikti XVI do t’u flasë pjesëmarrësve të takimit mbi “Ungjillëzues të Ri për Ungjillëzimin e Ri, Fjala e Zotit shtohet e përhapet”, organizuar nga Këshilli Papnor për promovimin e Ungjillëzimit të Ri. Papa Ratcinger do të pritet nga kreu i dikasterit të Vatikanit, kryeipeshkvi imzot Rino Fizikela.
Ndër ligjëruesit e këtij takimi të rëndësishëm kishtar janë edhe shkrimtari katolik italian Vittorio Messori, editorialisti i së përditshëm Corriere della Sera, e shkencëtari Marco Bersanelli dhe ekspertë të tjerë. Takimi do të përqendrohet kryesisht mbi pikën numër 6 të Udhëzimet (Lineamenta) që përgatisin diskutimet rreth temës së Ungjillëzimit të Ri që do të trajtohet në Asamblenë e XIII të Përgjithshme të Rregullt të Sinodit të Ipeshkvijve në tetor të vitit 2012. Tema e këtij Sinodi të ardhshëm është “Ungjillëzimi i Ri për transmetimin e fesë së krishterë”.
Në takimin e së shtunës do të flitet mbi aspekte të ndryshme që lidhen me Ungjillëzimin e Ri si për shembull “Perëndimi dhe pyetjet e tij mbi Jezu Krishtin”, “Shkenca e feja: një dialog i frytshëm”, “Fushat e ndryshme për veprimtarinë e Ungjillëzimit të Ri” e tjera.
Synimi është të shqyrtohen skenarët e ri që gjatë dekadave të fundit janë krijuar brenda historisë së njerëzve në botë e posaçërisht në perëndim, për të depërtuar në brendësi të tyre dhe për t’i shndërruar në vende të dëshmisë e të kumtimit të Ungjillit.







All the contents on this site are copyrighted ©.