Më 12 tetor kalendari përkujton Zojën e Bekuar të Pilarit
Kujtojmë sot me 12 tetor shenjtëroren më të lashtë të Spanjës e ndoshta edhe të mbarë
krishterimit, atë të së Lumes Mari Virgjër të Pilarit në Saragozë. Ndërtesa e shenjtërores
e stilit barok, në formë drejtkëndëshi, është e ndarë në tri navata dhe e stolisur
me piktura e afreske nga Velasquez, Goya, Ramon e Bayen. E gjatë njëqind e tridhjetë
e pesë metra, e gjerë pesëdhjetë e nëntë, ka katër kulla e njëmbëdhjetë kupola, ndërmjet
të cilave shquhet kupola qendrore, 80 metra e lartë. Sipas gojëdhënës, kapela e lashtë
qe ndërtuar nga shën Jaku i Madh Apostull rreth vitit 40, në kujtim “të Ardhjes” së
mrekullueshme të Virgjërës Mari nga Jerusalemi në Saragozë për ta ngushëlluar apostullin,
që ishte dëshpëruar nga rezultatet negative të predikimit të tij. Pilar quhet shtylla
e alabastrit ku, siç tregon gojëdhëna, mbështeti këmbët Zoja e Bekuar, e prej këndej
edhe u quajt “Zoja e Pilarit”.