2011-10-12 11:42:09

Më 12 tetor kalendari përkujton shën Serafinin nga Montegranaro, rregulltar.


Serafini lindi në vitin 1540 në Montegranaro, në rajonin italian Marke. Prindërit e tij: Girolamo Rapanjano dhe Teodora Gjovanuzi, ishin thellësisht të krishterë, por edhe tepër të varfër. Nuk mundën, prandaj, ta shkollojnë djalin që i fali Zoti. Fëmija shumë shpejt u detyrua të ruante grigjat e një fshatari të pasur. Kështu i kaluan vitet e para të jetës, derisa mbushi 18 vjeç, kur trokiti në portën e kuvendit françeskan të Tolentinos.
Pas disa vështirësish, u pranua ndërmjet fretërve françeskanë kapuçinë dhe bëri noviciatin në Jesi. Shtegtoi në të gjitha kuvendet e Markeve sepse, pavarësisht nga vullneti i mirë dhe kujdesi i jashtëzakonshëm që tregonte në kryerjen e detyrave që i besoheshin, nuk ia dilte mbanësh t’i kënaqte eprorët as sivëllezërit, të cilët nuk ia kursenin vërejtjet e qortimet, shpesh edhe të padrejta. Por ai iu përgjigj gjithnjë çdo qortimi me një butësi çarmatosëse.
Mbeti gjithë jetën i varfër, i përvujtë, i pastër, i gatshëm për ta poshtëruar veten e për të lartuar të tjerët. Gjatë kryerjes së detyrës si portier, në kontakt me njerëz të të gjitha shtresave shoqërore, diti gjithnjë të gjejë fjalët e përshtatshme për secilin, të sillej me delikatesë, duke pasur një dëshirë të vetme: t’i udhëhiqte shpirtrat drejt Zotit, t’u hapte jo vetëm portën e kuvendit, po sidomos atë të Parajsës.
Në vitin 1590 Serafini u vendos përfundimisht në Askoli Piçeno. Qyteti e desh aq shumë, sa në vitin 1602, kur u përhap lajmi mbi transferimin e tij të mundshëm, autoritetet u shkruan eprorëve të mos e largonin. Kasnec i vërtetë i paqes e të mirave, kishte një ndikim të jashtëzakonshëm mbi të gjithë ata që takonte. Fjala e tij pajtonte grindje alarmante, zhdukte urrejtjen, edukonte virtytet.
Lutej, punonte, duronte, ndërsa krahas lëvdatave, nuk i munguan kurrë as qortimet e kritikat. Ashtu si nuk i mungoi kurrë as ndihma e Zotit, të cilin e pat gjithnjë pranë kudo punonte e kalonte: në kuzhinë, te porta, në kopsht. Zoti i dha hirin hyjnor të bëhej burim i paimitueshëm ngushëllimi për të gjithë njerëzit. E ai ishte gjithnjë i kënaqur, në sa dinte të lexonte vetëm dy libra: të Kryqëzuarin dhe Rruzaren Shenjte.
Ishte 64 vjeç e fama e shenjtërisë së tij i kishte kaluar kufijtë e qytetit të Askolit, kur kërkoi me ngulm sakramentin e vajimit të shenjt, ndërsa askush nuk e besonte se do të vdiste. Por ai vdiq pak kohë pasi kishte marrë shujtën e shenjtë të shtegtarit, më 12 tetor 1604. Menjëherë pas vdekjes, zëri i popullit që fliste aq shumë për shenjtërinë e tij, shkoi deri në vesh të Papës Pali V, i cili autorizoi ndezjen e një llambe mbi varrin e tij. U shpall shenjt nga Papa Klementi XIII, më 16 korrik 1767







All the contents on this site are copyrighted ©.