Më 11 tetor kalendari përkujton të Lumin Gjonin XXIII, papë
I Lumi Gjoni XXIII, Papa Anxhelo Ronkali lindi në Nënmal, qytezë pranë Bergamos, më
25 nëntor 1881. Ishte bir i një familjeje gjysmatarësh. Si u bë prift, vijoi të jetonte
për 15 vjet në Bergamo, ku shërbeu si sekretar i ipeshkvit e mësues në seminar. Pas
shpërthimit të Luftës I Botërore, u thirr nën armë si kapelan ushtarak. Në përfundim
të luftës, jeta e tij mori një kthesë të ndjeshme. Nisi veprimtarinë diplomatike në
shërbim të Selisë së Shenjtë, si vizitator apostolik në Bullgari e në Turqi. Më 1994
qe Nunc në Paris, për t’u bërë, më 1953, Patriark i Venedikut. Më 28 tetor 1958
u ul në fronin e Shën Pjetrit, si pasardhës i Piut XII, duke marrë emrin Gjoni XXIII.
Papnoi nga 4. 11. 1958 deri më 03. 06. 1963. Më 11 tetor 1962, Gjoni XXIII kumtonte
hapjen e Koncilit të Vatikanit II. Me të Kisha do të niste një rrugë ndryshimesh:
do të zbriste në botë, duke thyer skemat shekullore; do të bashkohej me mbarë familjen
njerëzore, duke jetuar së bashku me të frikën e shpresën, gëzimet e ankthet. Hapje
kilometrike e revolucionare, fiksuar në mënyrë të pashlyeshme në faqet e njohura të
Kushtetutës baritore "Gaudium et Spes". Shërbëtori i mirë e besnik i Zotit, Gjoni
XXIII, sot në dritën e të Lumturve, vdiq më 3 qershor 1963. Bota pati ndaluar frymëmarrjen
atë çast, në sa turmat e njerëzve prisnin lajme nën dritaret e Pallatit Apostolik:
një njeri jepte shpirtin në duart e Zotit, pasi i kishte shërbyer besnikërisht Kishës
së tij. Quhej nga të gjithë "Papa i Mirë", kishte fituar simpatinë e miqve e të armiqve
si njeri i paqes, që shmangu rrezikun e konfliktit bërthamor ndërmjet Bashkimit Sovjetik
e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në festën e sotme liturgjike, po e kujtojmë
me fjalët e tij: "Dita ime tokësore po mbaron, por Krishti jeton e Kisha vijon misionin
e Saj në kohë e në hapësirë". Vijon të na porosisë ta presim me fe e ngazëllim Krishtin,
Mbretin tonë: mbret i vërtetësisë, i lirisë, i drejtësisë dhe i dashurisë. Janë këto
katër shtyllat mbi të cilat mund të ngrihet ndërtesa e vërtetë e paqes, ashtu si shkruante
i Lumi papa Gjoni XXIII në enciklikën "Pacem in Terris”, Dokument historik, më aktual
se kurrë që, sipas porosisë së të Lumit, duhet ta lexojmë, ta meditojmë, ta vëmë në
jetë. Do të jemi, atëherë "të lumtur, sepse bij të vërtetë të Zotit e të paqes". Në
Martirologun Romak për Gjonin XXIII shkruhet: “Njeri i pajisur me humanizëm të jashtëzakonshëm,
me jetën, veprat e zellin e tij të zjarrtë baritor u përpoq të përhapte kudo begatinë
e dashurisë së krishterë e të promovonte bashkimin vëllazëror ndërmjet popujve. Posaçërisht
i vetëdijshëm për misionin e frytshëm të Kishës së Krishtit në botën mbarë, thirri
Koncilin II të Vatikanit.