2011-10-11 12:45:46

Me rastin e Ditës botërore kundër dënimit me vdekje, kërkohet t’u jepet fund ekzekutimeve në Bjellorusi.


Me rastin e Ditës IX botërore kundër dënimit me vdekje, aktivistë e aktiviste të Amnesty International nga të katër anët e botës, u mobilizuan për të kërkuar t’u jepet fund ekzekutimeve në Bjellorusi, i vetmi vend evropian i ish-Bashkimit sovjetik, ku vijon të praktikohet dënimi me vdekje. “Bjellorusia është i vetmi vend në Evropë, që pretendon se mund të vrasë, në emër të drejtësisë”, pohon Roseann Rife, ekspert i Amnesty International, duke u shprehur ashpërsisht kundër dënimit me vdekje. Sipas statistikave – saktëson Agjencia Sir - në Bjellorusi arrin të paktën në 400, numri i të burgosurve të pushkatuar vetëm gjatë vitit 1991. Por e vërteta mbetet e panjohur, për shkak të ruajtjes së sekretit, pas të cilit fshihet numri i vërtetë i njerëzve që e përfundojnë jetën me plumb. Të burgosurit njoftohen vetëm pak minuta para ekzekutimit. Larg plotoneve të dikurshme, të dënuarit i merret jeta me një plumb në zverk. “Mizoria e dënimit me vdekje në Bjellorusi shkon shumë përtej fazës së ekzekutimit. Familjet njoftohen vetëm disa javë, madje disa muaj, pas pushkatimit – nënvizon Rife – ndërsa trupat pa jetë të të vrarëve nuk u dorëzohen familjarëve, të cilët nuk duhet ta dinë as ku janë varrosur”.
Në vitin 2010 Amnesty ka regjistruar mijëra ekzekutime në 23 vende të botës, Në përfundim të vitit të kaluar, të dënuarit me vdekje, në pritje të ekzekutimit, ishin të paktën 17. 800 vetë.







All the contents on this site are copyrighted ©.