Me 11 tetor kalendari përkujton shën Aleksandër Sauli
Shën Aleksandër Sauli, teolog, ipeshkëv i Pavisë, epror i përgjithshëm i rregulltarëve
Barbanitë e rrëfyestar i Karlo Borromeut. Reformator i klerit dhe mësues i jetës së
krishterë, dashuria, bamirësia e përkushtimi it ë cili qenë aq të mëdha sa që e quanin
engjëlli mbrojtës dhe ati i të varfërve. Pra, Zoti e kishte pajisur shën Aleksandër
Saulin me të gjitha të mirat. Ishte bir i një familjeje fisnike gjenoveze me lidhje
të fuqishme, në saje të të cilave, krejt i ri, u emërua pazh i oborrit mbretëror të
Karlit V, sundimtar i Evropës e i Amerikës, dmth i mbarë botës. Duhet të nisej, prandaj,
për të filluar detyrën e re. Por ai nuk pranoi. Në vend që të shkonte në oborrin e
mbretit, 17 vjeçari kërkoi të hyjë në radhët e Klerikëve Rregulltarë të Shën Palit,
të njohur me emrin Barnabitë, sepse banonin pranë kishës milaneze të Shën Barnabës.
Ishin priftërinj që i lidhte një rregull, që jetonin në bashkësi e kishin si detyrë
të studionin e të jepnin mësim, me një fjalë, ishin pikë referimi për risimin e jetës
fetare. “Kërkoj të pranohem – tha i riu – sepse dëshiroj t’i bindem plotësisht
thirrjes së Zotit”. E në shenjë bindjeje, iu nënshtrua një prove nga më të pakëndshmet:
doli në Sheshin e Tregtarëve i veshur si fisnik, me një kryq të rëndë mbi shpatulla,
duke i shkandulluar e duke i befasuar të gjithë ata që e panë këtë shfaqje të pazakontë.
U bë, kështu, nismëtar i një tradite: “Që atëherë – shkruan Atë Luis Irilia Roazio
- mbartja e kryqit bëhet pjesë e pandarë e traditës sonë rregulltare, sepse çdo barnabit
e nis vitin e noviciatit duke e mbartur kryqin nga bashkësia në Kishë”. Si u shugurua
meshtar, u bë mësues dhe edukator i barnabitëve, të thirrur për të qenë njerëz të
kryqit e të librit, të fesë e të kulturës, që edhe në shekullin XXI lidhen në mënyrë
të pandarë njëra me tjetrën, ashtu si në shekullin XVI, kur jetoi e punoi Shenjti
i Kryqit i cili sapo i kishte mbushur 34 vjeç, kur u zgjodh epror i përgjithshëm i
Urdhrit. U bë edhe rrëfyes i Shën Karl Borromeut, kryeipeshkëv i asokohshëm i Milanos.
Në vitin 1567 Piu V e emëroi ipeshkëv të Aleries në Korsikë, ku iu desh të merrej
me gjithçka, duke përfshirë edhe shuarjen e urisë së besimtarëve, viktima të thatësirës
e të piratëve. Në këtë veprimtari të gjithanshme, vëmendje të dorës së parë i kushtoi
formimit të priftërinjve të përgatitur në të gjitha drejtimet, të përshpirtshëm e
të kulturuar, të denjë për të kryer misionin delikat të ungjillëzimit. Për njëzet
vjet me radhë qe atë e mësues për Korsikën. E do të kishte vdekur aty, në se nuk
do t’i duhej t’i bindej nxënësit të tij, që më pas u bë papa Gregori XIV, i cili e
transferoi në Pavi. U bind, ndonëse e ndjente se, pas viteve e gjata, të ngarkuara
me punë e shqetësime të të gjitha natyrave, nuk e kishte më energjinë e parë. E megjithatë
filloi menjëherë vizitën baritore: vijoi kështu ta mbartë kryqin, derisa sa erdhi
edhe për të dita e fundit. Apostulli i Korsikës vdiq në Kalozo Asti, në një dhomë
të varfër në katin përdhes të një shtëpie punëtorësh. Trupi i ipeshkvit u mbart në
katedralen e Pavisë, ku edhe u varros. U shpall shenjt nga Piu X në vitin 1904.