2011-10-11 16:07:31

Ipeshkvijtë australianë në vizitë “ad Limina”: emigrantët, pasuri për Kishën tonë


Këtyre ditëve, ipeshkvijtë australianë ndodhen për vizitën e tyre “ad Limina” në Vatikan. Vijnë nga një vend me shtrirje të madhe, i gjashti në botë, por pak i populluar. Nga 22 milion banorët, shumë prej të cilëve janë emigrantë, 25% deklarohen katolikë. Kisha australiane ka shtatë provinca kishtare, që përfshijnë 31 kryedioqeza, dioqeza dhe eparki. Papa Benedikti XVI ka qenë për vizitë apostolike në këtë vend, në vitin 2008, me rastin e Ditës Botërore të Rinisë, në Sidnej. Mbi jetën e bashkësisë katolike në Australi, pyetëm kreun e ipeshkvijve, kryeipeshkvin e Adelaides, imzot Filip E. Uilson:
Një nga pikat e fuqishme të forcës së bashkësisë katolike në Australi është përbërja e saj ndërkombëtare: Kisha australiane ka në gjirin e saj emigrantë, të ardhur nga Evropa dhe Azia gjatë 50 vjetëve të fundit. Ata janë integruar më së miri në jetën kishtare dhe kontribuojnë në pasurimin e përvojës së fesë.
Një pjesë e rëndësishme e veprimtarisë baritore ka të bëjë me aborigjenët australianë. A mund të na flisni pak për këtë?
Aborigjenët janë një grup i rëndësishëm e Kisha u kushton shumë kujdes. Janë bashkësi, që duhet të përballojnë probleme e vështirësi të ndryshme, prandaj veprimtaritë baritore kanë për qëllim ndihmën dhe integrimin e tyre në jetën e Kishës. Konferenca ipeshkvnore ka një Komision të veçantë, që merret me dialogun me aborigjenët, me situatën e tyre dhe bashkëpunon me ta për t’i ndihmuar të jetojnë me dinjitet, në fe. Kryesisht, atyre u mungojnë mundësitë, asistenca shëndetësore, arsimi dhe asistenca shoqërore. Kisha është në linjën e parë të frontit për t’u dhënë përgjigje këtyre problemeve, por edhe për t’i kujtuar krejt shoqërisë australiane e qeverive tona përgjegjësinë që kanë për këta njerëz.
Kanë kaluar tre vjet nga Dita Botërore e Rinisë në Sidnej: çfarë i ka lënë kjo ngjarje Kishës australiane?
Dita Botërore e Rinisë ka sjellë rezultate të rëndësishme në jetën e Kishës në Australi. Për ne, ka qenë një çast i jashtëzakonshëm, që na ka lejuar jo vetëm të fokalizojmë vëmendjen në risimin e baritorisë për rininë, por edhe të shohim vlerat e rëndësishme të fesë, që pasqyrohen në jetën e secilit. Siç tregojnë ipeshkvijtë, shumë prej atyre të rinjve impenjohen sot aktivisht në jetën e Kishës. Disa kanë marrë rrugën e meshtarisë, ose të jetës rregulltare e shumë punojnë në apostullimin rinor të dioqezave. Ditët Botërore të Rinisë kanë ndihmuar shumë njerëz të konsolidojnë marrëdhëniet e tyre me Zotin e me Kishën.
Ç’mund të na thoni për impenjimin e Kishës lokale në dialogun ndërfetar e në marrëdhëniet ekumenike?
Ipeshkvijtë australianë, si individualisht, ashtu edhe si Konferencë Ipeshkvnore, janë shumë të impenjuar në dialogun ekumenik e në promovimin e marrëdhënieve ndërfetare. I konsiderojmë marrëdhëniet ekumenike shumë të rëndësishme e përpiqemi të dialogojmë e të bashkëpunojmë me të krishterët e tjerë të vendit. Gjatë 10 vjetëve të fundit, me rritjen e numrit të emigrantëve jo të krishterë, është rritur edhe vëmendja për çështjet ndërfetare. E ndjejmë si detyrë të dialogojmë me personat e feve të tjera e bëjmë ç’është e mundur për të promovuar harmoninë fetare dhe mirëkuptimin e ndërsjelltë në shoqëri.
Kisha australiane është shumë aktive në fushën e emigracionit. Shpesh, ipeshkvijtë kanë kritikuar politikën e rreptë të qeverisë në këtë fushë. Mendimi juaj?
Kisha australiane e ngre zërin në mbrojtje të të gjithëve. Jemi të impenjuar për të përballuar sfidat e shoqërisë për jetën, abortin dhe eutanazinë dhe përpiqemi të ndikojmë mbi bashkësinë, që të pasqyrohen vlerat tona në mënyrën e trajtimit të njerëzve. Detyra jonë e madhe është t’i ndihmojmë të gjithë njerëzit, që banojnë në Australi, pra, edhe emigrantët e, sidomos refugjatët. Si ipeshkvij, e kemi thënë qartë se të gjithë ata, që vijnë në Australi, duhet të trajtohet me respekt e njerëzi. E kemi ngritur zërin kundër përpjekjeve të padrejta të qeverisë për t’ua bërë jetën të vështirë këtyre njerëzve. Gjithashtu, disa ipeshkvij impenjohen aktivisht në ndihmë të refugjatëve pa dokumente.







All the contents on this site are copyrighted ©.