2011-10-10 16:23:07

Thirrje e Papës në Engjëllin e Tënzot: me shenjtërinë tuaj, shndërrojeni Kalabrinë.


Në përfundim të Meshës, duke kryesuar lutjen mariane të Engjëllit të Tënzot, Papa bëri një thirrje të re, të fuqishme, për shndërrimin e Kalabrisë. Para kësaj thirrjeje, kryetari i Bashkisë së Kalabrisë, theksoi dëshirën e popullsisë për të jetuar përsëri me dinjitet.

Popullsia e Kalabrisë u shtrëngua rreth Papës në një përqafim tejet të përzemërt. Kryetari i Bashkisë së Lamecia Terme, Gjani Speranca, zëdhënës i saj, duke përshëndetur Benediktin XVI, që sapo kishte arritur, theksoi posaçërisht kushtet e vështira, në të cilat jeton kjo tokë:
Shpresa të mëdha e zhgënjime të tmerrshme i zënë vendin njëra-tjetrës: shpresuam më kot punë e industri; në vend të tyre pamë vetëm shpërdorimin e parave publike, ashtu si ndodh shpesh, tepër shpesh, në Jug... Por këtu, në zonën më të gjërë industriale të Jugut, shumë sipërmarrës kanë realizuar nisma serioze e të qëndrueshme, gjë që ngjall shpresa të reja, konkrete, për të ardhmen”.
Kryetari i Bashkisë kujtoi edhe se kjo tokë mikpritëse ka forca të mëdha njerëzore, se nuk i mungojnë nismat e solidaritetit e të vullnetariatit, që duhet të luftojnë kundër kthetrave vrasëse të kriminalitetit:
Ne nuk mund të pranojmë që në tokën tonë të fuqizohet sundimi i forcave kriminale; që puna e mirë të shtypet nën thundrën e së keqes e të së ndyrës; që kapitali i paligjshëm t’ i zërë vendin atij të ligjshmit; që të rinjtë tanë të mbeten pa punë e pa perspektivë, duke u detyruar të largohen nga vatrat... e që deri meshtarët të kërcënohen me jetë. Është e tmerrshme të mendosh se për një punë të parregullt e të paguar keq, njeriu duhet të vdesë tragjikisht, siç vdiqën punëtoret e Barletës. Nuk duam të jemi tokë e vdekjes, por tokë e lirisë për gratë e sotme, që këtu duhet të kapërcejnë shumë pengesa e vështirësi; për burrat e sotëm, për bijtë e tyre!”.
Kryetari i Bashkisë kujtoi edhe vizitën e Gjon Palit II në Kalabri, 27 vjet më parë:
I Lumi Gjon Pali II na u drejtua ne, kalabrezëve, duke na nxitur me fjalët: ‘Merrni zemër e kini besim. E nesërmja do të jetë më e mirë!’. Edhe fjalët tuaja, Shenjtëri, do të lënë një gjurmë të pashlyeshme në zemrën e secilit nga ne e, posaçërisht, në zemrën e të rinjve: ata kanë nevojë të inkurajohen për të ndërtuar ardhmërinë e tyre pa mafie, pa kërcënime, pa frikë. Të rinjtë janë shpresa jonë: mjaft më me mafien!”.
Edhe ipeshkvi i Lamecias, imzot Luigji Antonio Kantafora, në përshëndetjen drejtuar Papës, e vuri theksin mbi shpresat, që burojnë nga kjo vizitë:
Në emër të Jezu Krishtit, Nazarenit, ec!”. Janë fjalët, që na shoqëruan në kohën e përgatitjes për vizitën tuaj baritore. E tani, vetë Pasardhësi i Shën Pjetrit është këtu, ndërmjet nesh, për të na përforcuar fenë, për të na ringjallur shpresat, për na thelluar dashurinë e krishterë, që duhet t’i shprehim njëri- tjetrit, si dhe format e ndryshme të veprimtarisë shoqërore”.
Në përfundim të Meshës, Papa kremtoi lutjen e Engjëllit të Tënzot, gjatë së cilës ia besoi Virgjërës Mari të gjitha shpresat dhe shqetësimet e kësaj toke, ku lartohen aq shumë shenjtërore kushtuar Nënës së Zotit. E, në përfundim, i ftoi besimtarët të jetojnë si shenjtorët, për të përballuar problemet e rënda shoqërore e për t’i vënë të gjitha forcat në shërbim të së mirës së përbashkët:
Feja e shenjtorëve ia ndërron faqen botës! Me të njëjtën fe, edhe ju, përtërijeni sot Kalabrinë e dashur, tuajën e tonën”.









All the contents on this site are copyrighted ©.