2011-10-10 14:08:05

Shugurimi ipeshkvnor i imzot Sciacca, sekretar i përgjithshëm i guvernatorit të Vatikanit dhe izmot Adokonou, sekretar i këshillit papnor për kulturën


Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, dje pasdite në Bazilikën e Vatikanit, kryesoi Meshën e Shenjtë për shugurimin ipeshkvnore të imzot Giuseppe Sciacca, emëruar ipeshkëv më 3 shtator, sekretar i përgjithshëm i Guvernatoratit të Shtet- Qytetit të Vatikanit, e imzot Barthélemy Adokonou, emëruar ipeshkëv më 19 shtatorin e kaluar, sekretar i Këshillit Papnor për Kulturën.
Në homelinë e rastit, kardinali Bertone kujtoi se dy prelatët “gjatë shërbimit të tyre meshtarak, zhvilluar së pari në dioqezat e tyre përkatëse të vendlindjes e më pas në shërbim të Selisë së Shenjtë, janë përpjekur ta duan Zotin mbi çdo gjë e të jenë shenjë e dashurisë së tij përdëllyese, duke ushtruar bamirësinë baritore në dobi të vëllezërve. Për bamirësi baritore – shtoi kardinali Bertone – nuk kuptojmë ndonjë virtyt që vepron në kuptimin moralist, por në kuptimin teologjik: dashuria apo bamirësia baritore është një mënyrë e realizimit të ngjarjes shpëtimprurëse të Dashurisë së Krishtit”. “Dy ipeshkvijtë e ri, që janë formuar në shkencat juridike e teologjike, duke u pajisur me urti e përvojë të lartë, që e vuan në shërbim të Kishës – nënvizoi kardinali Bertone – tani më shumë se kurrë janë thirrur të transmetojnë dritën e doktrinës së dëftuar Hyjnore, në saje të misionit e të mandatit hyjnor”. Së fundi, sekretari i Shtetit të Vatikanit ia besoi dy ipeshkvijtë e ri ndërmjetësimit të Zojës së Bekuar Mbretëreshës së Apostujve që të jenë “lajmëtarë të flaktë të Mbretërisë së Zotit, shërbëtorë bujarë të Kishës, bashkëpunëtorë besnik të Vikarit të Krishtit, Papës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.