E diel 9 tetor, Kisha katolike kremton të dielën e 28-të gjatë vitit kishtar.
E po sot më 9 tetor kalendari liturgjik na propozon shembullin e shën Dionisit, ipeshkëv
e të shokëve të tij martirë; të shën Gjon Leonardit, meshtar, themelues i Klerikëve
Rregulltarë të Nënës së Zotit dhe të shën Abrahamit, patriark.
Të hënën
më 10 tetor, kalendari shënon përkujtimin e shën Paolinit, ipeshkëv i Jorkut,
e shën Danielit e Samuelit dhe shokëve të tyre, martirët e parë françeskanë. Liturgjia
na fton të reflektojmë për mbretërinë e Zotit, që është e e fshehur në histori: vetëm
feja dhe shpresa e krishterë u krijojnë besimtarëve mundësinë ta dallojnë e t’i shërbejnë,
me bindjen se forca e fshehur e Shpirtit Shenjt do ta bëjë këtë mbretëri të dukshme
në kohë e do ta shndërrojë mbarë botën.
Të martën më 11 tetor, kalendari
Kishtar na propozon shembullin e shën Filipit diakon, të shën Aleksandër Saulit, ipeshkëv
i Pavisë dhe të Lumit Gjonit XXIII, papë. Liturgjia e kësaj dite na kujtojnë se
Jezusi duke na dhuruar uratën e ‘Atynës”, deshi të na mësonte sjelljen e bijve që
lidhen ngushtë me Atin Hyjnor, me të cilin të bashkojmë vullnetin, ndjenjat, jetën;
nga i cili kërkojmë të na japë bukën e përditshme, të na i falë mëkatet, të na japë
jetë, të na çlirojë nga i keqi.
Të mërkurën e ardhshme më 12 tetor,
bie festa liturgjike e Zojës së Bekuar, Nënës së Kishës, që na kujton se po të besojmë
në lidhjen e Atit me të bijtë, në bazë të uratës së ‘Atynës’, rruga që na çon në takimin
me Zotin do të jetë gjithnjë e lirë: do të na jepet ajo që kërkojmë, do të gjejmë
atë që lypëm, do të na hapet porta ku kemi trokitur. Po a e kemi besimin e duhur për
ta arritur këtë?
Të enjten që vjen më 13 tetor, kalendari do të përkujtojë
shën Teofilin, ipeshkëv i Antiokisë. Përkujtimi i tij liturgjik na tregon se Jezusi
erdhi në botë për ta çliruar njeriun nga shejtani. Fitorja e tij është e sigurt, sepse
ai është më i fortë. E si mund të mos mbajmë anën e tij? Kush e gënjen veten se mund
të luftojë i vetëm, jo vetëm që do të bjerë në kthetrat e së keqes, por nuk do të
mund të çlirohet më prej saj.
Të premten më 14 tetor, do të përkujtohet
festa e shën Kalistit I, papë e martir, që na fton t’i këndojmë Zotit, sepse ai është
Hyji ynë, të cilit duhet t’ia dëgjojmë fjalën e të jetojmë sipas vullnetit të Tij.
Të
shtunën më 15 tetor, kalendari Kishtar përkujton shën Terezën e Jezusit, virgjër,
doktoreshë e Kishës, karmelitane e zbathur. Liturgjia e ditës na kujtojnë se lutja
e vazhdueshme dhe bamirësia, janë dy cilësitë që e dallojnë të krishterin, i cili
sillet kështu sepse përpiqet t’i ngjasë Zotit. Duke jetuar me lutje e dashuri, ecim
të sigurt në rrugët që çojnë drejt qiellit
Të dielën e ardhshme më 16 tetor,
Kisha do të kremtojë të dielën e 29-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më 16 tetor
sipas kalendarit Kishtar bie përkujtimi i shën Edvigës, dukeshë e Polonisë, rregulltare,
të shën Margeritës Alakok, virgjër e Vizitacionit dhe të shën Gjerardo Maielës, vëlla
laik redentorist. Festa e tyre na kujton se feja na ndihmon ta njohim e ta lexojmë
jetën në këndvështrimin e Hyjit, duke u mbështetur plotësisht në Të e duke e bekuar
në amshim emrin e Zotit.