2011-10-10 16:32:29

Ndeshje në Kajro ndërmjet koptëve ortodoksë dhe policisë. Ipeshkvi i Gizës: kemi të drejtë të jetojmë në paqe, në vendin tonë


Faqe e errët në historinë e “pranverës arabe”. Filluan që dje, duke shndërruar manifestimin paqësor në dhunë, por vazhduan edhe sot, ndeshjet ndërmjet koptëve ortodoksë dhe forcave të rendit në Kajro të Egjiptit, që shkaktuan 24 viktima e mëse 250 të plagosur. Sipas koptëve, viktimat janë 36. Sot ndeshjet janë zhvilluar jashtë spitalit të Kajros, ku janë shtruar të plagosurit. Akoma nuk është e sigurtë si kanë rrjedhur ngjarjet. Dikush akuzon ushtrinë, dikush grupet ekstremiste islamike. E qartë është se bashkësia e krishterë, që përbën 10% të popullsisë, është gjithnjë e më tepër në shënjestër, pas rënies së presidentit Mubarak nga pushteti.
Koptët kishin dalë dje për të manifestuar paqësisht kundër djegjes së një kishe në Asuan nga integralistët islamikë, për të cilën askush nuk i është dorëzuar drejtësisë. Bashkë me ta, edhe shumë myslimanë, që akuzonin televizionin shtetëror për nxitjen e urrejtjes ndërfetare. Gjendja doli jashtë kontrolli kur të krishterët u sulmuan nga disa fondamentalistë islamikë. Të krishterët u përgjigjën me gurë e në atë çast, ndërhyri ushtria e cila hapi zjarr.
Qeveria e vendit, junta ushtarake dhe partia e Vëllezërve Myslimanë e ka quajtur ngjarjen si kthim mbrapa në procesin e tranzicionit në demokraci. Dikush ua vë fajin për këtë koptëve, duke e ftuar Papën Shenuda, kreun e koptëve ortodoksë, të kërkojë publikisht falje. Junta do të fillojë hetimin për çështjen, ndërsa ka nisur marrja në pyetje e të arrestuarve. Tjetër reagim, nga Bruskeli, ku ministrat e jashtëm të shteteve evropiane bënë thirrje për tolerancë fetare dhe theksuan se ka ardhur koha që qeveria egjiptiane ta kuptojë rëndësinë e lirisë së fesë. Për Patrikun e Aleksandrisë, kreun e koptëve katolikë, kardinalin Antonios Naguib, pas këtyre fakteve, rritet shqetësimi për të ardhmen e vendit.
Sipas disa vëzhguesve, dhuna kundër të krishterëve u shërben partive islamike, në prag të zgjedhjeve presidenciale të 28 nëntorit. Siç thekson kardinali katolik Naguib për agjensinë Sir, “sulmet e islamistëve kundër institucioneve të krishtera dhe deklaratat e myslimanëve salafitë shkaktojnë shqetësime të mëdha, sepse ata duan t’i trajtojnë të krishterët si në periudhën më të errët të Perandorisë Otomane”. Nga ana e tij, imami i madh i Al Azharit në Kajro, kërkon urgjentisht bisedime ndërmjet përgjegjësve të bashkësisë së krishterë dhe të asaj myslimane.
Për një koment mbi ngjarjet e fundit, të dëgjojmë ipeshkvin e dioqezës egjiptiane të Gizës, imzot Antonios Aziz Mina:

Çdo ngjarje e këtij lloji nuk zgjon veç dhimbje e mëshirë për të gjitha viktimat. Të krishterët kërkojnë vetëm të jetojnë në paqe në vendin e tyre. Duhet të them se, së bashku me demonstruesit e krishterë, kishte edhe myslimanë, të cilët kërkonin të drejtën e të krishterëve për të jetuar në paqe e për të siguruar mbrojtjen e kishave të tyre e jo djegjen, apo shkatërrimin. Fatkeqësisht, këta kriminelë, që shkatërruan kishën, nuk gjetën asnjë autoritet, që t’i pengonte, ose t’i gjykonte… Kur e sulmuan kishën dhe e shkatërruan, qeveria e ushtria u përpoqën të vendosnin paqen ndërmjet palëve e ta rindërtonin vendin e kultit me shpenzimet e ushtrisë. Por kjo nuk është zgjidhje! Gjërat duhen bërë me drejtësi e me ligj: kush gabon, paguan…

Dje në Kajro, forcat e rendit, në vend që të mbronin pakicat, thuhet se shkaktuan vdekjen e tyre…

Nëse do të kishin mbajtur qëndrim kundër atyre që shkatërruan kishat, nuk do të kishim arritur kurrë në këtë pikë! Nëse nuk ka rend e ligj, njerëzit nuk kontrollohen… Kemi arritur deri në vrasjen e disa të krishterëve: ishin të pafajshëm, s’kishin bërë asgjë të keqe, kërkonin vetëm të drejtën për paqe e mbrojtjen e kishave të tyre. Jemi të shqetësuar për të ardhmen. Pa të drejta, pa ligje, nuk e dimë se ku do të shkojmë.







All the contents on this site are copyrighted ©.