Masakër ortodoksësh në Kajro. Dhimbja e kardinalit Sandri
Sapo mori vesh lajmin për masakrën e kopto-ortodoksëve në Kajro, prefekti i Kongregatës
për Kishat Lindore, kardinali Leonardo Sandri u mblodh në lutje me të gjithë anëtarët
e dikasterit. Ta dëgjojmë, në mikrofonin tonë:
U lutëm për viktimat e këtyre
ndeshjeve, për vëllezërit tanë koptë ortodoksë, që deshën të manifestojnë për lirinë
fetare, por gjetën vdekjen. Bashkohemi me Kishën kopto-ortodokse, me të gjithë vëllezërit
tanë, me familjet e tyre dhe me viktimat e kësaj dhune pa kuptim. U lutëm edhe për
kopto-katolikët, sepse duam të mos keqësohet gjendja edhe për këtë bashkësi, vërtet
e vogël, por e impenjuar për paqen dhe marrëveshjen ndërmjet të gjitha rrymave të
shoqërisë egjiptiane. Së treti, u lutëm edhe që kjo e ashtuquajtura “Pranverë arabe”
të jetë vërtet premisë për paqen, për demokracinë, për dialogun, për respektimin e
dinjitetit të njeriut e sidomos, për respektimin e lirisë fetare e të pakicave. Të
shpresojmë që kjo lëvizje, e cila filloi në janar të këtij viti, të mos sjellë dhunë,
ndarje, vrasje e persekutime, por marrëveshje, dialog, pjesëmarrje të të gjitha përmasave
të shoqërisë, e në veçanti të të krishterëve, në punën për rindërtimin e Egjiptit
të ri.