2011-10-10 10:42:53

Eprori i Çertozës së Shën Brunos: prania e Papës është mesazh shprese për gjithë Kalabrinë


Papa Benedikti XVI ishte sot për vizitë baritore në Kalabri të Italisë. Fillimisht në Lamezia Terme, Ati i Shenjtë kremtoi meshën, në orën 10.00, në një zonë, që tani e tutje do të marrë emrin “Benedikti XVI”. Po aty, Papa tha edhe Lutjen e Engjëllit të Tënzot, me besimtarët e shumtë, të ardhur nga të gjitha anët e Kalabrisë, ku kujtojmë se ka fshatra të tëra me arbëreshë. Pas drekës me ipeshkvijtë, Ati i Shenjtë shkoi në Serra San Bruno për të vizituar Çertozën e murgjërve kundrues të Shën Brunos, për t’u takuar me popullsinë e vendit dhe për të kremtuar së bashku me çertozinët, Lutjet Mbrëmësore. Gjesti i fundit i Papës në tokën kalabreze qe nënshkrimi i Librit të Miqve dhe vizita në njërën nga qelat e në infermierinë e Çertozës. Por cila ishte domethënia e vizitës së Benediktit XVI në Kalabri? Të dëgjojmë eprorin e çertozinëve, që sot priti Atin e Shenjtë në Serra San Bruno, atë Zhak Dypont:
Fakti që Papa mendon për Kalabrinë, që vjen këtu – në një kontekst shumë, shumë të vështirë për të rinjtë, të cilët nuk gjejnë punë e vendosin të ikin, sepse e ardhmja në këtë rajon është e pasigurtë – shpresoj t’u hapë sytë e t’i ftojë përgjegjësit e marrjes së vendimeve, të zbatojnë masa, që t’ia kthejnë të ardhmen rajonit e, sidomos të rinjve.
Për ju si çertozinë, ç’rëndësi pati kjo vizitë?
Ne jemi shumë, shumë mirënjohës, sepse Papa deshi të vinte tek ne: unë as që e kisha shpresuar këtë ndonjëherë… Prandaj, falenderojmë jashtëzakonisht Zotin, që na dha këtë hir, na bëri këtë dhuratë të mrekullueshme. I jemi mirënjohës Atit të Shenjtë, që në listën e impenjimeve të veta, gjeti dy orë për të jetuar e për të qëndruar me ne, sidomos për t’u lutur me ne. Ky është inkurajimi për t’i qëndruar besnikë thirrjes sonë. Papa është shumë i lidhur me përshpirtërinë murgare, prandaj na përforcoi në fe e na nxiti të jemi gjithnjë e më tepër bij të Shën Brunos.
Si është jeta në Serra San Bruno dhe ç’lidhje keni me popullsinë?
Para së gjithash, kemi lidhje shpirtërore: ne jemi një urdhër kundrues e jetojmë në klauzurë. Kjo do të thotë se Serra San Bruno jeton në një situatë të veçantë, pikërisht sepse ky fshat i vogël ka lindur rreth Çertozës, madje prej saj. Njerëzit janë shumë të lidhur me ne, pasi Çertoza është pjesë e identitetit të tyre. Na respektojnë, respektojnë vetminë tonë. Ne u jemi mirënjohës për ndihmën që na japin e besojmë se tek ne gjejnë një pikë referimi shpirtërore, një mbështetje, spese jeta, këtu në Kalabri, nuk është e lehtë. Le të mendojmë për botën e punës, për mafien… besoj se fakti që çertozinët janë pranë e luten për ta, i ngushëllon e u jep guxim njerëzve.
Çfarë shenjash shprese mund të japë prania juaj në këto toka?
Mendoj se përgjigjia duhet kërkuar tek feja: jeta jonë i kushtohet lutjes. Ne jemi këtu për të thënë se Zoti ekziston, është mbi të gjitha ngjarjet e tokës, por është edhe shumë afër nesh. Këtë na mëson Shën Bruno, i cili ishte krejtësisht i marrë pas Zotit, njeri, që zgjodhi vetminë për të pasur veç Zotin. Edhe ne, sipas shembullit të Shën Brunos, i jemi kushtuar krejtësisht jetës kundruese, por, përmes lutjes e lidhjes sonë me Zotin, jemi pranë njerëzve, sepse ne lutemi për ata të gjithë.
Në vitin 1984, edhe Papa i lum Gjon Pali II vizitoi Serra San Brunon. Atëherë ai ju pati kërkuar t’ia tregoni botës mënyrën tuaj të jetesës, e cila është “provokim” për të…
Ajo, që na pati thënë Gjon Pali II, mbetet shumë aktuale. Ky mesazh na ndihmon të jetojmë këtu. Provokimi ynë është tepër i fuqishëm, sidomos për të rinjtë. Jeta jonë është paradoksale e në një vështrim të parë, mund të duket e padobishme: ç’bëjmë këtu, në gjunjë e me duart e shtrira drejt qiellit, kur ka kaq shumë probleme konkrete për t’u zgjidhur? Shumë janë ata, që nuk kuptojnë e na pyesin ç’bëjmë pas këtyre mureve, por shumë ndalen për të reflektuar. Kur na afrohen përmes ndonjë libri, ose takimi, zbulojnë se nuk jemi jashtë botës… përkundrazi, jemi në zemrën e saj!







All the contents on this site are copyrighted ©.