2011-10-07 12:40:40

Çmimi Nobel për Paqe 2011 tri grave


Çmimin Nobel për Paqe 2011 e kanë fituar tri gra: ish presidentja Ellen Johnos Sirleaf e Leymah Gbowee nga Liberia, dhe Tawakul Karman nga Jemeni “për betejën e tyre jo të dhunshme për sigurinë e grave dhe për të drejtat e grave për të marrë pjesë në punën e ndërtimit të paqes”. Kështu tha në ceremoninë zyrtare ku tri gratë janë nderuar me çmimin e rëndësishëm, Thorbjoern Jagland, president i Komitetit norvegjez të Nobelit, duke shpallur tre emrat fitues. “Nuk mund të arrihet demokracia dhe paqja e qëndrueshme në botë – vijoi ai – nëse gratë nuk arrijnë ti kenë të njëjtat mundësi që kanë burrat” për të ushtruar edhe ndikimin e tyre “në të gjitha nivelet e shoqërisë”.
Ellen Johnson Sirleaf, 72 vjeçare, presidente e Liberisë, është gruaja e parë presidente e zgjedhur në mënyrë demokratike (më 2005) në Afrikë. Që nga koha e marrjes së pushtetit, ajo “ka kontribuar – nënvizoi Jagland – në sigurimin e paqes në Liberi, ka promovuar zhvillimin ekonomik e shoqërore dhe përforcuar pozitat e grave në jetën shoqërore”.
Leymah Gbowee, 39 vjeçare, është aktiviste e paqes në Liberi, ka organizuar lëvizjen e grave “përtej ndarjeve etnike e fetare për t’i dhënë fund luftës së gjatë në Liberi dhe për të garantuar pjesëmarrjen e grave në zgjedhje. Që asokohe ka punuar për rritjen e rolit dhe të ndikimit të grave në Afrikën perëndimore gjatë e pas luftës”.
Tawakul Karman, 32 vjeçare, është një gazetare dhe aktiviste e të drejtave të njeriut nga Jemeni. “Në zonat më të vështira si para e po kështu edhe gjatë Pranverës arabe, ka luajtur një rol të rëndësishëm në luftën për të drejtat e grave, për demokraci dhe paqe në Jemen”.
Komiteti norvegjez i Nobelit uron që çmimi “të kontribuojë për t’i dhënë fund represionit ndaj grave në shumë vende të botës, ku ende ekziston dhe shpreson në realizimin e potencialit të madh që kanë gratë për demokraci e paqe”.







All the contents on this site are copyrighted ©.