Data 7 tetor 1571 shënon shpartallimin e flotës turke në Lepanto, në detin Egje, nga
ana e Lidhjes së Shenjtë. Në këtë ditë u ndërpre përfundimisht ekspansioni i vazhdueshëm
i perandorisë osmane nëpërmjet rrugëve detare. Ulqini, qe një ndër qytetet e fundit
që pati fatin e zi të pushtohej prej turqve një vit përpara thyerjes së tyre, më 1570. Në
mëngjesin e datës 7 tetor, anijet e Lidhjes të komanduara nga princi Johan i Austrisë,
dhe nga kapitenë të guximshëm si Sebastiano Venier, venedikas, Doria, gjenovez, Marcantonio
Colonna, romak, u gjenden përballë flotës së madhe turke së cilës i printe Myezinzade
Ali dhe komandanti tjetër Huçalì. Anijet e të krishterëve hoqën menjëherë thimcat
e gjatë në bash të anijeve në mënyrë që topat të zvogëlonin edhe më tepër këndin për
të qëlluar nga sa më afër. Në kuverta të galève vendosën ujë, verë, bukë, djathë e
ushqime të tjera sepse parashikohej që beteja do të zgjaste shumë. Të dyja flotat
u ndeshën në afërsi të arkipelagut Kucilaris. Në vijë të parë të sulmit të krishterët
vendosën galeacat, një lloj anije që përdoret për transport, e ku kishin vendosur
topat, taktikë kjo që u dha epërsi në luftime të krishterëve. Nga ana tjetër turqit
i vendosën anijet e veta në formacion gjysmëhëne. Papritmas era, e cila deri tani
kishte fryrë për osmanët, filloi të frynte për të krishterët. Të parët, të cilët që
kur kishin dalë nga Lepanto i kishte shoqëruar një tufë korbash, e morën ndërrimin
e kahut të erës si diçka ogurzezë, kurse të krishterët morën zemër. Johani i Austrisë
urdhëroi menjëherë të thuhet Mesha e Shenjtë, ndërsa etërit jezuitë dhe kapuçinë rrëfyen
detarët dhe ushtarët. Më pas Princi i Hapsburgëve thirri muzikantët të dalin në kuvertë
dhe së bashku me dy fisnikë spanjollë, kërceu një valle trimërie, mu përpara syve
të armikut, në shenjë përçmimi për rrezikun. Por nuk qenë më pak trima as turqit të
cilët luftuan deri në fund, edhe pas vrasjes së komandantit Myezinzade Ali. Pasi iu
mbaruan municionet dhe nuk kishin më me se të luftonin, të dyja ushtritë, në disa
vende, zbritën në stere dhe vazhduan përleshjen, por kësaj radhe me portokalle dhe
limonj. Në anijen “Marchesa” të Xhovani Dorias gjendej një personalitet, asokohe
vetëm një ushtarë i thjeshtë, por që më vonë do të njihej për penën e tij të veçantë:
Servantesi. I plagosur nga një arkibuz në dorën e majtë, e cila i mbeti më pas invalide,
Servantesi do të thoshte: “U plagos e majta për lavdinë e së djathtës.” Beteja
qe e gjatë dhe nuk u mor vesh se kush ishte fituesi deri në fund të ditës, kur heshtën
topat dhe arkibuzët e fundit dhe mbi arkipelagun Kucularis ra muzgu. Atëherë komandanti
i Lidhjes, Johani i Habsburgëve mblodhi në anijen e vet komandantët e anijeve të tjera
dhe i përgëzoi për trimërinë dhe guximin e treguar, ndonëse të gjithë e kishin të
qartë se fitorja nuk i përkiste atyre por Atij që rri në Qiell. Ndërkaq, një kasnec
i solli Papës Piu V lajmin e mirë të fitores, por Papa nuk e ndërpreu Meshën. Përpara
nisjes së ekspeditës luftarake, Piu V iu kishte kërkuar të krishterëve të thonin Rruzaren
e Zojës për fitoren e Lidhjes së Shenjtë. Në fund të Meshës, me lot ndër sy, Papa
kërkoi të këndohej “Te Deum”. Pikërisht në kujtim të asaj dite, në shenjë falënderimi
ndaj Nënës së Zotit, Papa Piu V vendosi që kjo datë t’i kushtohej Zojës Rruzare, e
cila kremtohet edhe sot e kësaj dite.