2011-10-07 14:41:45

Shtegtimi i dioqezës së Romës për të Lumin Gjon Palin II.


Më 22 tetorin e ardhshëm, për herë të parë do të kremtohet përkujtimi liturgjik i të Lumit Karol Wojtila e për këtë rast do të mbahet një shtegtim në qendër të Romës, organizuar nga shërbimi baritor rinor dhe zyra për thirrje të shenjta e Vikariatit të dioqezës së Romës. Më 22 tetor në ora 15 në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan kardinali Angelo Comastri do të prezantojë shtegtimit që do të përshkojë udhët e qendrës historike të Romës për të përfunduar në katedralen e Shën Gjonit në Lateran, ku kardinali vikar i dioqezës romake Agostino Vallini do të kryesojë Meshën Shenjte.
“Roma në udhëtim me Gjon Palin II”. Në një letër drejtuar besimtarëve romakë, kardinali Vallini kujton “përzemërsinë dhe dashurinë e madhe” që i Lumi Karol Wojtila “kishte për të rinjtë të cilët mase një herë i thirri dhe inkurajoi të ecnin gjurmëve të Krishtit e të jetonin deri në fund pa mëdyshje fenë e krishterë”. Duke shpallur të Lum, shkruan akoma kardinali Vallini, Benedikti XVI e paraqiti Karol Wojtilën “si shembull të jetës së krishterë dhe asaj meshtarake”, posaçërisht për Kishën e Romës “të cilën aq shumë e deshi dhe i shërbeu si ipeshkëv”. Kardinali Vallini i fton të gjithë besimtarët romakë e posaçërisht të rinjtë “të marrin pjesë me një numër sa më të madh” në shtegtimin e 22 tetorit, ditën kur Kisha për herë të parë do të kremtojë përkujtimin liturgjik të të Lumit Gjon Palit II.







All the contents on this site are copyrighted ©.