2011-10-07 10:23:25

Lutja Mariane e Rruzares Shenjte çon në takim të drejtpërdrejtë me Jezusin.


Lutja e Rruzares është lutje bisedë me Zojën e Bekuar mbi të Birin e saj e shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin. E në sa bisedojmë me Nënën e Krishtit, e ndjejmë nevojën të lidhemi e të bashkohemi me vetë Jezusin. Ata që i luten Marisë, e ndjejnë menjëherë se sytë e tyre nuk mund të ndalohen vetëm në fytyrën e Nënës, sepse Nëna lidhet ngushtë me të Birin, Jezu Krishtin e kështu duke e lutur Rruzaren, ne vihemi në kontakt me Zojën e Bekuar e me Shëlbuesin e botës, Jezu Krishtin.
Zakonisht misteret e fesë që kundron Rruzarja ndahen në misteret e gazmendit, të mundimit e të lumturisë. Kësaj ndarjeje tradicionale, Papa Gjon Pali II propozoi t'i shtohen edhe 'misteret e dritës’, që janë: I pari: 'Pagëzimi i Jezusit në Jordan, kur Ati nga qielli thotë: "Ja, biri im, të cilin e kam për zemër", e ky është zbulimi i misionit të Birit të Hyjit; pastaj i dyti është mrekullia e Jezusit në Dasmën e Kanës, shenjë e shndërrimit dhe e shenjtërimit të të gjithë realitetit të krijuar e sidomos e njeriut të shndërruar nga Biri i Hyjit; misteri i tretë është kumtimi i Mbretërisë së Hyjit me shëmbëlltyra e shenja shëlbuese. I katërti - shndërrimi i Jezusit mbi Malin Tabor dhe së fundi, i pesti, themelimi i Eukaristisë, si dhanti Pashkësh e si sakrament që përmbledh në vetvete të gjitha sakramentet e shëlbimit, të cilat Krishti ia dhuroi Kishës për shpëtimin e njerëzimit.
Kjo larmi na bënë të mos harrojmë se të gjitha misteret e fesë së krishterë janë shprehje e një misteri të vetëm; misterit të mbretërisë së Hyjit', sipas fjalëve të vetë Jezusit, që kujtohen në Ungjillin e Markut. Rruzarja është ftesë për të hyrë më thellë, së bashku me Marinë, në këtë mister hyjnor, që është misteri i Krishtit.
Çelësat e Parajsës:
Një legjendë, që nuk është shumë larg së vërtetës, tregon kështu fuqinë e e Kryqit të Krishtit e të Rruzares shenjte:
Një ditë shën Pjetri e humbi çelësin e Parajsës. I përulur, plotë turp dhe konfuz për çka i kishte ndodhur, rrinte në portën e Parajsës, porsi roja e zënë në flagrancë (me presh në dorë).
Pas pak, dikush arriti prej toke: - Më vjen shumë keq – i tha Apostulli; -por e kam humbur çelësin. Të lutëm të kesh durim, e prit.-
Mirëpo shumë shpejt mbërrini i dyti, i treti, i katërti e …ishin njëri punëtor, tjetri bujk, tjetri akoma artist, një tjetër sportist…Të gjithë po prisnin.
Më në fund mbërrini një plak. Pasi e mori vesh se si qëndronin punët, tha: - Shën Pjetri e ka humbur çelësin? Po unë e kam një me vete…
E, duke thënë kështu, nga xhepi i saj e nxori Rruzaren; e vuri Kryqin në vrimën e çelësit, e dera u hapë….
Të gjithë shenjtërit dhe mësuesit e jetës shpirtërore na sigurojnë se lutja e Rruzares Shenjte është mjet i sigurt i qëndresës e shpëtimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.