2011-10-06 15:29:46

Vdiq Stiv Xhobs, protagonist i shquar i epokës digjitale


Gjeni i kohës sonë: në moshën 56 vjeçare, vdiq gjatë natës së djeshme, Stiv Xhobs, protagonist i epokës digjitale, themelues i “Apple”-it, shpikës i kompiuterit “Macintosh”, i “Ipad”-it dhe i “Iphone”-it. Xhobs luftonte që prej 7 vjetësh me një formë të rrallë të tumorit në pankreas. Miliona njerëz nga e gjithë bota vazhdojnë të dërgojnë mesazhe ngushëllimi në faqen zyrtare të “Apple”-it, për të kujtuar atë, që presidenti amerikan Barak Obama e quante “një vizionar, i cili na ndryshoi jetën”. Mbi kontributin e madh, që i lë botës Stiv Xhobs, edhe për të ardhmen, intervistuam drejtorin e revistës së jezuitëve “Civiltà Cattolica”, atë Antonio Spadaro, i cili është ekspert në teknologjitë e reja të komunikimit:
Kontributi më i madh që ka dhënë Stiv Xhobs është fakti se për të, teknologjia është pjesë e jetës. Ajo që të bën përshtypje është pikërisht domethënia, që ai i jep punës së vet. Teknologjia nuk është diçka, që u rezervohet vetëm teknikëve. Pasioni i tij për skedën grafike, për mënyrën e të paraqiturit, tregon se mjetet, gjërat, objektet ndërthuren e integrohen me jetën e përditshme. Mendoj se ky është një nga kontributet më të mëdha të Stiv Xhobsit për ta kuptuar teknologjinë e botës moderne.
Firma “Apple”, që merret me kompiutera, themeluar nga Stiv Xhobs, ka sot fitime më shumë se gjiganti i naftës “ExxonMobil”. Në epokën e globalizimit, një bit vlen më shumë se nafta…
Do të thosha, sigurisht që po e, dua të bëj një hap mbrapa. Më 11 shkurt 1929, me Paktet e Lateranit lind Qytet-Shteti i Vatikanit. Që nga ai çast, Papa Piu XI e kuptoi se thelbësore për shtetin ishin radioja dhe stacioni hekurudhor, pra, komunikimi. Në këtë kuptim, Stiv Xhobs kishte diçka të përbashkët me Piun XI. Kuptoi se komunikimi është vlera më e madhe, që kemi sot në dispozicion e, duhet ta shfrytëzojmë. Në të, mendoj se janë bashkuar aftësia e rinovimit me kapacitetin e madh krijues.
Stiv Xhobs u birësua i vogël e nuk e mbaroi kurrë shkollën e lartë. Pavarësisht nga këto “kushte fillestare” aspak të favorshme, gjenia e tij ia doli të arrijë objektiva të jashtëzakonshme, i ndihmuar, natyrisht, nga sistemi amerikan. A është e mundur të lindë një Stiv Xhobs edhe në Afrikë për të mbushur boshllëkun teknologjik, që e ndan nga bota perëndimore?
Është e qartë se konteksti është shumë i rëndësishëm. Mendoj se ky boshllëk nuk do të mbushet kurrë plotësisht; do të ketë gjithnjë diferenca, pasi jo të gjithë kanë të njëjtat mundësi. Por teknologjia, pa dyshim që do t’u shërbejë vendeve në zhvillim, disa prej të cilave të çudisin që tani. Nëse vërejmë aftësitë teknike, infrastrukturat teknike – për shembull, shpejtësinë e lidhjeve me internet – gjejmë shtete, që janë edhe më përpara se vendet e industrializuara.
Këto vite, flitet shpesh për rënien e SHBA-ve. Megjithatë, nëse mendojmë për ata, që e kanë ndryshuar radikalisht mënyrën tonë të jetesës, quhen Stiv Xhobs, Bill Gejts, Mark Xukerberg. Të gjithë amerikanë e fare të rinj, kur kanë shpikur teknologjitë, që do të pushtonin më pas botën…
Njerëzit që përmendët, në një mënyrë a në një tjetër, i kanë pranuar sfidat. Së dyti, kanë besuar në vizionet e tyre, nuk e kanë parë jetën vetëm në gjërat e vogla të përditshme, por kanë ëndërruar. Në fund të fundit, mesazhi më i rëndësishëm i Stiv Xhobs është ky: “Stay hungry, stay foolish” – kij gjithmonë uri, ji gjithmonë i marrë, pra, shihe jetën me sy të rinj, të ndryshëm nga të tjerët.
Kjo, do të thosha, është tepër amerikane…
Kjo, do të thosha, është tepër njerëzore. Është e qartë se edhe për arsye historike e ekonomike – e shohim edhe nga letërsia – SHBA-të e kanë pasur gjithnjë konceptin e kufirit, të horizontit para vetes. Janë përpjekur gjithnjë ta kapërcejnë atë e kjo, i ka çuar edhe në Hënë. Pikërisht këtë qëndrim duhet të mësojmë prej tyre, kapërcimin e amullisë, mospërshtatjen me botën ekzistuese. Duhet të shohim larg e lart.







All the contents on this site are copyrighted ©.