2011-10-06 12:19:54

Më 6 tetor kalendari përkujton shën Brunon


Teolog e kancelar kishtar, shën Bruno kaloi një jetë oshënare, duke u mbyllur në një vend të vetmuar në Kalabri, Serra e Shën Brunos, ku akoma pushon trupi i tij. Me Urdhrin Çertozin kontribuoi në përtëritjen e disiplinës kishtare.
Shën Bruno, meshtar e murg lindi në Këln të Gjermanisë rreth viteve 1030-1035. Ndoqi shkollën e Katedrales së Reimsit, që i përgatiste të rinjtë për rrugën kishtare. Në vitin 1056 u caktua profesor i filozofisë dhe i teologjisë, duke fituar nderimin e simpatinë e nxënësve të tij. Ndërmjet tyre ishte edhe Odoni i Lagerisë, papa i ardhshëm Urbani II.
Në vitin 1075 u emërua kancelar i kryeipeshkvit simoniak të Reimsit, Manase. Me që ishte njeri i drejtë, shumë shpejt ndërmjet tij e ipeshkvit lindën konflikte, që përfunduan vetëm më 1080, kur Gregori VII urdhëroi të zgjidhej një ipeshkëv i ri për Reimsin.
I pakënaqur nga bota, në vitin 1082 nisi jetën vetmitare pranë Molesmes, ndërsa dy vjet më pas, së bashku me gjashtë shokë, u vendos në dioqezën e Grenobles, ku u mirëprit nga ipeshkvi Ugo dhe nga abati Seguino i Sheî-zë- Dië. Me ndihmën e ipeshkvit ndërtoi, në trojet malore të Shartrëzë, shtatë baraka, ku murgjit jetonin në heshtje, në lutje e në punë. Vetmia e plotë ndërpritej vetëm kur mblidheshin së bashku për të thënë një pjesë të Lutjeve të Orëve të Ditës ose për të marrë pjesë në Meshën shenjte në ditët festive. Së bashku me shokët e tij, shenjti iu kushtua punës së dorës e, posaçërisht, veprimtarisë së kopjimit të dorëshkrimeve. Lindi kështu Urdhri Çertozin.
Në vitin 1088 Urbani II e thirri në Romë si këshilltar, por me që aty gjeti një mjedis të korruptuar, në vitin 1092, pasi siguroi njohjen dhe autonominë për kuvendin e themeluar pranë Grenobles, vendosi të largohej në La Torre, në mes pyjeve kalabreze. Realizoi përsëri idealin e tij murgar duke kërkuar Zotin në heshtje e në vetmi, në gjurmët e etërve të shkretëtirës. Ndërtoi rishtas një eremitazh (vend të oshënarisë) sipas stilit të atij të Shartrëzës, e edhe këtu rreth tij u mblodhën shumë shokë.
Vdiq në Serra Shën Bruno më 6 tetor 1101, i rrethuar nga një famë e madhe shenjtërie. Papa Leoni X, në vitin 1514, miratoi kultin e tij; Papa Gregori XV më 1622 e radhiti ndërmjet shenjtorëve të Shkurtores e në Mesharin Romak, ndërsa tri vjet më parë, Papa Benedikti XVI, duke bashkëkremtuar Meshën shenjte me anëtarët e Komisionit Teologjik Ndërkombëtar në Kapelën e Nënës së Shëlbuesit në Vatikan më 2007, e kujtoi kështu Shën Brunon, 908 vjet pas vdekjes: “Misioni i Shën Brunos, i shenjtit që festohet sot, duket qartë në lutjen, që na shpjegon se misioni i tij ishte: heshtje e kundrim. Por heshtja e kundrimi kanë një qëllim, shërbejnë për të ruajtur, në përhumbjen e jetës së përditshme, bashkimin e përhershëm me Zotin. Ky është qëllimi: që në shpirtin tonë bashkimi me Zotin të jetë gjithnjë i pranishëm e të na shndërrojë plotësisht”.







All the contents on this site are copyrighted ©.