2011-10-05 12:33:24

Uri në Bririn e Afrikës: thirrje e re e Benediktit XVI gjatë audiencës së përgjithshme. Koment i imzot Silvano Tomazit


Gjatë audiencës së përgjithshme në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, në të cilën foli për Psalmin 23, Papa Benedikti XVI bëri një thirrje të re për popullsitë e Bririt të Afrikës, ku rreth 12 milionë vetë vazhdojnë të vuajnë nga uria. Në rrezik janë sidomos fëmijët, por qindra-mijëra refugjatë enden në kërkim të ujit e të ushqimit. Këto janë fjalët e Benediktit XVI:RealAudioMP3
“Nuk rreshtin së ardhuri lajme dramatike për zinë e bukës, që ka goditur rajonin e Bririt të Afrikës…Përsëris ftesën time të fuqishme ndaj Bashkësisë Ndërkombëtare, që të vazhdojë të impenjohet për ata popuj e, i ftoj të gjithë të ofrojnë lutje e ndihmë konkrete për sa e sa vëllezër e motra, të sprovuar kaq rëndë, veçanërisht për fëmijët, që çdo ditë vdesin në atë rajon për shkak të sëmundjeve e për mungesën e ujit e të ushqimit”.
Papa përshëndeti kardinalin Robert Sarah, kryetar i Këshillit Papnor ‘Cor Unum’ dhe imzot Xhorxho Bertin, Administrator Apostolik i Mogadishos, të pranishëm në këtë audiencë së bashku me disa përfaqësues të organizatave bamirëse katolike, që do të takohen për të verifikuar e për t’u dhënë impuls të ri nismave për përballimin e emergjencës humanitare. Do të marrë pjesë në takim edhe një përfaqësues i Kryeipeshkvit të Kanterburit, i cili, edhe ai, ka bërë thirrje në favor të popullsive në nevojë.

E dje në Gjenevë, ngriti zërin për këtë çështje imzot Silvano Maria Tomazi, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Zyrën e OKB-së të qytetit. Të dëgjojmë komentin e tij pas thirrjes së Papës:
Mungesa e ushqimit i detyron mijëra e mijëra njerëz të marrin rrugët për të mbijetuar e shumë vdesin në udhë. Është fjala për një genocid të heshtur, prandaj është vërtet urgjente që bashkësia ndërkombëtare të shprehë solidaritetin e vet për këta njerëz, ndër të cilët ka shumë gra e fëmijë. Mund të përmend rastin e dhimbshëm të një nëne, që mbante në krah dy fëmijët e vet e nuk ecte dot më, nuk kishte më forcë, prandaj i duhej të vendoste se cilin prej dy fëmijëve ta linte rrugës të vdiste e cilin ta merrte me vete drejt kampit të refugjatëve. Nuk është e mundur, nuk është e pranueshme, që sot të ndodhin këto gjëra të tmerrshme. Por tragjedia e Bririt të Afrikës është pjesë e tragjedive të tjera. Le të mendojmë për së paku 1500 personat, që kanë humbur jetën, në përpjekjen për të kaluar nga Afrika e Veriut në Evropë e për sa e sa, që janë mbytur duke kaluar detin nga Somalia në Gjirin e Adenit. Jemi para një emergjence, që duhet t’u shkundë ndërgjegjen të gjithëve.
Sipas jush, a është e mjaftueshme ndihma e bashkësisë ndërkombëtare?
Ka kontribute, që vende të ndryshme japin përmes agjencive të OKB-së. Sigurisht, do të ishte mirë të kishim një koordinim më të madh. Impenjimi pozitiv ka filluar, por nuk është i mjaftueshëm për t’iu përgjigjur të gjitha nevojave.







All the contents on this site are copyrighted ©.