2011-10-05 17:58:41

Papa: Zoti është gjithmonë i pranishëm në jetë. Ta përtërijmë besimin tonë në Të


Figurës së bariut të evokuar nga psalmi 23 Papa i kushtoi katekizmin e audiencës së përgjithshme.
Imazhi i deleve që i besohen bariut, i cili “i njeh të gjitha një nga një, i thërret me emër e ato e dëgjojnë sepse e njohin dhe kanë besim në të”, është propozuar sot paradite nga Papa, gjatë audiencës së përgjithshme mbajtur në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Benedikti XVI duke vijuar me katekizmin mbi lutjen, u ndal mbi Psalmin 23.
“Nëse Zoti është bari, edhe në shkretëtirë, që është vend i jo prezencës dhe i vdekjes, nuk shuhet bindja e pranisë rrënjësore të jetës, aq sa të mund të thuhet: nuk më mungon asgjë”. Kështu pohoi Papa, duke komentuar Psalmin 23, “një tekst familjar për të gjithë dhe i dashur nga të gjithë”, që sot ishte në qendër të katekizmit të audiencës së përgjithshme, mbajtur paradite në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan para mase 20 mijë besimtarëve e shtegtarëve të ardhur nga vendet e ndryshme të botës.
“Nëse ecim pas bariut të mirë, për sa të vështira, të tërthorta, dredharake apo të gjata mund të duken shtigjet e jetës sonë”, shpjegoi Benedikti XVI, “shpesh madje edhe shkretinore, kundër diellit të racionalizmit përvëlues – shtoi akoma Papa – duhet të jemi të sigurt se ato janë shtigjet e drejta për ne dhe se Zoti na udhëheq e është përherë pranë nesh”. “Edhe në errësirën e vuajtjes, në pasiguri, në të gjitha problemet njerëzore – tha Ati i Shenjtë Ratcinger – besimtari ndjehet i sigurt: ‘Ti o Zot je me mua, kjo është bindja jonë’”.
“Terri i natës të shtinë frikën, me hijet e veta që ndryshojnë, me vështirësitë e vërejtjes dhe të dallimit të rreziqeve, me heshtjen e tij që mbushet me zhurma të padeshifrueshme”, vijoi Papa duke iu referuar përvojës së psalmistit: “nëse grigja lëviz pasi bie muzgu, kur mundësia e shikimit bëhet e pasigurt, është gjë normale që shtigjet dhe përshkimet të jenë shqetësuese, e ekziston rreziku i rrëzimit apo i largimit dhe i humbjes, e kështu ekziston edhe frika e sulmeve të mundshme që fshihen në errësirë”.
Për të folur për luginën e “errët” – shpjegoi Papa – psalmisti “përdor një shprehje hebraike që evokon errësirën apo hijen e vdekjes, për çka lugina që duhet të kalohet është një vend ankthi, trishtimi, plot me kërcënime të tmerrshme, me rrezikun e vdekjes. E megjithatë, njeriu që i lutët Zotit e vijon udhën i sigurt, kalon pa frikë, sepse e di se Zoti është me të”. “Fjalët ‘ti je me mua’ – ripohoi Papa Ratcinger – janë shpallje e një besimi të patundur në Hyjin, e përmbledhin përvojën e fesë rrënjësore:; pra psalmi na kujton se afërsia e Zoti e shndërron realitetin, në luginën e errët, në luginën e hijes së vdekjes davaritet çdo hije e vdekjes, zbrazet nga çdo kërcënim” i mundshëm.
Ja edhe fjalët e Psalmit 23 që qenë në qendër të katekizmit të Papës Benediktit XVI në audiencën e sotme të përgjithshme:
PSALMI 23 /22/
Bariu i mirë
1 Psalm. I Davidit.
Zoti është bariu im,
asgjë nuk më mungon.
2 Më pushon kullotave të gjelbra,
më prin në ujëra të qeta,
3 shpirtin ma përtërin.
Ai më prin shtigjeve të drejta
në saje të dashurisë së Emrit të vet.
4 Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes,
s’trembem nga e keqja
sepse ti je me mua:
thupra jote dhe kërraba
për mua janë ngushëllim.
5 Ti ma shtron tryezën përpara
ndër sy të armiqve të mi,
me vaj erëmirë kokën ma lyen,
gotën ma mbush plot e përplot.
6 Hiri dhe mirësia do të më përcjellin
në të gjitha ditët e jetës sime,
do të banoj në shtëpinë e Zotit
derisa të jem gjallë.







All the contents on this site are copyrighted ©.