2011-10-04 15:41:48

Ndjeti i lutjes së Papës për muajin tetor: për ungjillëzimin e veprimtaritë misionare


“Të lutemi, që kremtimi i Ditës Misionare Botërore”, më 23 tetor, “të shtojë në Popullin e Zotit pasionin për ungjillëzimin dhe mbështetjen e veprimtarive misionare me lutje e me ndihmë ekonomike për Kishat më të varfëra”. Ky është ndjeti misionar i lutjes së Papës Benedikti XVI për muajin tetor. Shpallja e Ungjillit është një temë, për të cilën Ati i Shenjtë ka folur shpesh.
Në mesazhin e tij për Ditën Misionare Botërore, Papa shkruan se shpallja e Ungjillit është shërbimi më i çmuar, që Kisha mund t’i bëjë njerëzimit. Ungjillëzimi i jep gjallëri të re edhe vetë Kishës, por ai duhet të frymëzohet nga dashuria e Krishtit, përndryshe mbetet një veprimtari e thjeshtë bamirëse:
“Çdo i pagëzuar, si dega e bashkuar me hardhinë, mund të bashkëpunojë në misionin e Jezusit, i cili përmblidhet me këto fjalë: t’i çojmë çdo personi lajmin e mirë se ‘Zoti është dashuri’ e, pikërisht për këtë, dëshiron ta shpëtojë botën” (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 22 tetor 2006).
Papa ka theksuar disa herë se në botën e sotme, ugnjillëzimi është urgjent. Nga njëra anë, në botën perëndimore, Zoti lihet gjithnjë e më tepër mënjanë e feja konsiderohet thjesht çështje private e personale. Nga ana tjetër, në shumë vende të botës, të krishterët persekutohen e madje, japin jetën në emër të Krishtit:
“Kush merr pjesë në misionin e Krishtit duhet patjetër të përballojë probleme, kontraste e vuajtje, sepse ndeshet me rezistencën dhe me pushtetin e kësaj bote. E ne, si shën Pali Apostull, nuk kemi armë të tjera, veç fjalëve të Krishtit dhe të Kryqit të Tij” (Fjalimi për Veprat Papnore Misionare, 21 maj 2010).
Për t’ua shpallur Krishtin të tjerëve, të krishterët duhet të jenë vetë një me Të, duhet të jenë miq të Tij. S’ka gjë më të bukur, pati thënë Benedikti XVI në Meshën e fillimit të papnisë, se sa ta njohësh Krishtin e t’u komunikosh të tjerëve miqësinë me Të:
“Ungjillëzimi ka nevojë për të krishterë me krahët drejt Zotit në gjestin e lutjes, të krishterë të vetëdijshëm se kthimi i botës kah Krishti nuk bëhet prej nesh, por na dhurohet” (Fjalimi për Veprat Papnore Misionare, 21 maj 2010).
Por cila është baza ku mbështetet misioni i krishterë? Papa i këshillon besimtarët të ndjekin Fjalën e Zotit e të marrin pjesë në Sakramentet e Shenjta:
“Vetëm me rrënjë të thella në Krishtin e në Fjalën e Tij, bëhemi të aftë të mos biem në tundimin për ta reduktuar ungjillëzimin vetëm në një projekt njerëzor, shoqëror, duke e fshehur, ose duke mos e përmendur përmasën transhendente të shëlbimit, ofruar nga Zoti në Krishtin. Është Fjala e Hyjit, që duhet dëshmuar e duhet shpallur qartë, pasi pa dëshmi koherente, ajo bëhet më pak e kuptueshme e më pak e besueshme” (Fjalimi për Veprat Papnore Misionare, 14 maj 2011).







All the contents on this site are copyrighted ©.