Me 4 tetor kalendari kujton shën Françeskun e Asizit.
Nga një rini e shkujdesur e plot dëfrime, Françesku posa ndjeu mëshirë për të gërbulurit,
u kthye në rrugën e Ungjillit dhe e jetoi pa asnjë lëkundje, në varfëri e në gëzim,
duke e ndjekur Krishtin e përvuajtur, të varfër e të pastër, sipas shpirtit të lumnive.
Së bashku me vëllezërit e parë që e ndiqnin, të tërhequr nga forca e shembullit të
tij, predikoi kudo dashurinë e Zotit, duke dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme në
përtëritjen e Kishës. I dashuruar me Krishtin, e përqendroi përvojën e tij shpirtërore
në kundrimin e Shpellës së Betlehemit e të Kalvarit. Mbarti në korpin e vet shenjat
e Mundimeve të Krishtit: pesë plagët. Në të, ashtu si në mistikët më të mëdhenj, u
shkrinë harmonia me gjithësinë, të cilës i këndoi mrekullisht në Këngën e Krijesave.
Qe frymëzues e Atë i familjeve rregulltare mashkullore e femërore që morën prej tij
emrin “françeskane”. Piu XII e shpalli Pajtor të Italisë më 18 qershor 1939. Urdhri
françeskan nisi së pari në Asizi të Italisë, por shumë shpejt u përhap në vise të
tjera të botës, e kështu edhe në Shqipëri e në trevat tjera shqiptare si në Kosovë
e Mal të Zi. E sot, ndër të gjitha Kishat françeskane të botës u kremtua festa
e Shën Françeskut, që me shembullin e vet vijon të tërheqë mijëra njerëz të kombësive
të ndryshme në rrugën e Krishtit Zot e Shpëtimtar. Shën Françesku i Asizit i cili,
duke i përngjarë Krishtit, hoqi dorë nga pasuritë tokësore, na mësoi, kështu, se duhet
të jemi të thjeshtë, të përvujtë e të pastër, që kur ta lemë këtë botë, ta marrim
shpërblimin për dashuri. Të mësojmë nga Shën Françesku për ta jetuar fjalë për fjalë
Ungjillin.
Lutja e shën Françeskut O Zot, më bëj të jem mjet i paqes
Sate: ku ka urrejtje – unë ta sjell dashurinë, ku ka fyerje – unë ta sjell faljen, ku
ka mospajtim – unë ta sjell bashkimin, ku ka mashtrim – unë ta sjell besimin, ku
ka dëshpërim – unë ta sjell shpresën, ku ka terr – unë ta sjell dritën, ku ka
pikëllim – unë ta sjell gëzimin.
O Zot, bëj që mos të kujdesohem aq që të
jem ngushëlluar – sa të ngushëlloj, që të më kuptojnë – sa t’i kuptoj unë të tjerët, që
të më duan – sa të dua.
Sepse: kush dhuron vetveten – e fiton vetveten; kush
harron vetveten – e gjen vetveten; kush fal – do t'i falet; kush i vdes vetvetes
– lind për jetën e amshuar.
KËNGA E KRIJESAVE I Tejetlarti, i Gjithëpushtetshmi, o
Zoti ynë i mirë! E jotja është lavdia, lumturia, nderi dhe çdo bekim. Këto
Të takojnë vetëm Ty, ndërsa asnjë njeri nuk është i denjë as emrin e shenjtë
që Ta përmendë.
Qofsh lëvduar, o Zoti im, me të gjitha krijesat e Tua – posaçërisht
me vëllain, zotërinë Diellin. Prej tij na vjen dita dhe ai na ngroh me rreze
të veta. Ai është i bukur dhe plot me dritë shkëlqyese, i përngjan, o i Larti, dritës
Sate të hyjnueshme.
Qofsh lëvduar, o Zoti im, përmes motrës sonë Hënës dhe
vëllezërve yje! Ata të shkëlqyeshëm, të dashur dhe të bukur i ke shpërndarë
nëpër qiellin Tënd.
Qofsh lëvduar, o Zoti im, përmes motrës sonë Erës, përmes
Ajrit dhe Reve dhe Kthjelltësisë së shkëlqyer, dhe përmes të gjitha moteve
të Tua, me të cilat i mban krijesat e Tua.
Qofsh lëvduar, o Zoti im, përmes
vëllait tonë Ujit. Ai është shumë i dobishëm, i përvujtë, i çmueshëm dhe i pastër.
Qofsh
lëvduar, o Zoti im, përmes vëllait tonë Zjarrit, i cili natën e errët na e shndrit. Ai
është i bukur dhe i këndshëm, i fortë dhe përvëlues.
Qofsh lëvduar, o Zoti
im, përmes motrës sonë Tokës. Ajo na ushqen dhe na mban, na jep fryte të
ëmbla, lule të larme dhe gjelbërim.
Qofsh lëvduar, o Zoti im, përmes atyre
që falin për dashuri tënde, dhe i pësojnë me gëzim vuajtjet jetësore. Të
lumët ata që çdo gjë e bëjnë me paqe, sepse do t'i kurorëzosh me kurorë të amshuar.
Qofsh
lëvduar, o Zoti im, përmes motrës sonë vdekjes së trupit, cilës asnjë i vdekshmi nuk
do t'i ikë.
Të mjerët ata, që vdesin me mëkat të rëndë! Kurse të lumët
ata, të cilët Ti i gjen sipas dëshirës Sate të shenjtë, sepse vdekja tjetër nuk
do t'i humbasë!
Lavdëronie dhe bekonie Zotin tim, falënderonie Atë, shërbeni
Atij të gjithë me përvujtni të madhe!