2011-10-03 12:24:38

Papa në Engjëllin e Tënzot: kush është thirrur për të punuar në vreshtin e Zotit ka përgjegjësi të madhe


Zoti ka planin e tij për njeriun, por shpesh përgjigjja e njeriut është mosrespektimi i këtij plani: kështu foli dje Papa, gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Benedikti XVI u ndal në shembëlltyrën e Ungjillit të djeshëm, atë të vreshtarëve, që nuk i qëndruan besnikë të zotit të vreshtës, për t’u bërë thirrje më pas besimtarëve të jenë të bashkuar me Krishtin, si dega me hardhinë. Ati i Shenjtë kujtoi edhe figurën e motër Antonia Maria Verna, e cila u shpall e Lume dje pasdite, dhe përshëndeti pjesëmarrësit e Kongresit Botëror të Mëshirës Hyjnore në Krakovi.RealAudioMP3

“Juve do t’iu hiqet Mbretëria e Zotit dhe do t’i jepet një populli, që prodhon fryte”: ky qe citimi i Ungjillit nga ana e Papës, i cili kujtoi paralajmërimin e Krishtit për krerët e meshtarëve, që kishin përgjegjësi të madhe, pikërisht se ishin thirrur të punonin në vreshtin e Zotit, si autoritete. Ati i Shenjtë u tërhoqi vëmendjen meshtarëve të sotëm, të cilët kanë përgjegjësi para Zotit për mënyrën si e udhëheqin popullin e Tij në rrugët e jetës së krishterë, pas gjurmëve të Krishtit. Jezusi, shpjegoi Benedikti XVI, është guri, që ndërtuesit e hodhën, pasi e gjykuan armik të ligjit e të rrezikshëm për rendin publik:
“Por Ai vetë, i refuzuar e i kryqëzuar, u ringjall, duke u bërë ‘guri i këndit’ mbi të cilin mund të mbështeten me siguri absolute themelet e çdo ekzistence njerëzore dhe ato të botës mbarë”.
Ja pra, se për cilën të vërtetë flet shembëlltyra: pronari i vreshtit përfaqëson vetë Zotin, ndërsa vreshti simbolizon popullin e Tij dhe jetën, që Hyji na e jep për të bërë të mira:
“Zoti e ka një plan për miqtë e vet, por fatkeqësisht, përgjigjja e njeriut orientohet drejt mosbesnikërisë, që kthehet në refuzim. Krenaria dhe egoizmi na pengojnë ta njohim e ta pranojmë edhe dhuratën më të çmuar të Zotit: Birin e tij të vetëm”.
Zoti, vazhdoi Papa, dorëzohet në duart tona, pranon të bëhet mister i papërshkueshëm i dobësisë dhe e shfaq gjithë pushtetin e vet në besnikërinë ndaj planit të dashurisë, i cili, në fund, parashikon edhe dënimin e drejtë për të këqinjtë. Këtu, Benedikti XVI u bëri thirrje besimtarëve të sotëm:
“Të patundur në fenë për gurin e këndit, që është Krishti, të mbetemi të lidhur me Të, ashtu si dega, që nuk mund të sjellë fryte, nëse nuk mbetet e lidhur me hardhinë. Vetëm në Të, për Të e me Të ndërtohet Kisha, popull i Besëlidhjes së Re”.
Zoti, theksoi Ati i Shenjtë, është gjithnjë afër nesh e vepron në historinë e njerëzimit. Ai na shoqëron edhe duke na dërguar Engjëjt e tij, që dje Kisha i nderoi si “Engjëjt e Rojes”. Që nga fillimi i jetës e deri në vdekje, njeriu është i rrethuar nga mbrojtja e tyre e përhershme:
“E Engjëjt i thurin kurorë Mbretëreshës së Fitoreve, së Lumes Mari Virgjër të Rruzares, që në të dielën e parë të tetorit, nga Shenjtërorja e Pompeit e nga bota mbarë, dëgjon Lutjen përgjëruese e të zjarrtë, për fundin e së keqes e për zbulimin e plotë të mirësisë së Hyjit”.
Pas Lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi lumnimin e djeshëm të motër Antonia Maria Verna, kremtuar në Ivrea të Italisë nga kardinali-sekretar i Shtetit të Vatikanit, Tarçizio Bertone:
“Falenderojmë Zotin për figurën e ndritur të së Lumes së re, shembull i gruas së shuguruar dhe i edukatores, që ka jetuar ndërmjet shekujve XVIII e XIX”.
Në çastin e përshëndetjeve, në gjuhën frënge, Papa i ftoi profesorët t’u përçojnë nxënësve dashurinë për dijen e për të vërtetën. Dija, nënvizoi Benedikti XVI, është e rëndësishme, por edhe më i rëndësishëm është formimi i njeriut, që e bën atë në gjendje ta gjejë të vërtetën e të vendosë lirisht për fatin e vet.
“Edukojini të rinjtë me vlera të vërteta morale e shpirtërore, që i ndihmojnë të gjejnë kuptimin e jetës”.
Në anglisht e polonisht, Papa përshëndeti pjesëmarrësit e Kongresit II Botëror të Mëshirës Hyjnore në Krakovi, ndërsa në italisht, kujtoi nismën “Jezusi në qendër”, promovuar nga Baritoria rinore e dioqezës së Romës. Bëri gjithashtu thirrje për zhdukjen e barrierave arkitektonike, të cilat u vështirësojnë jetën njerëzve me të meta fizike, pikërisht në ditën, që Italia i kushton këtij argumenti. Në fund, u dha të gjithëve Bekimin e tij Apostolik.








All the contents on this site are copyrighted ©.