2011-10-02 16:58:48

U kremtua 100-vjetori i Katedrales së Moskës


Çast i madh gëzimi për Kishën Katolike në Rusi. Të dielën e kaluar, u kremtua 100-vjetori i kushtimit të Katedrales së Moskës, Zojës së Papërlyer. Mesha u kremtua nga I dërguari i veçantë i Papës, kardinali Jozef Tomko, së bashku me ipeshkvijtë e meshtarët rusë, por edhe me të tjerë, ardhur nga Bjellorusia, Kazakistani, Lituania, Polonia e SHBA-të.RealAudioMP3
Katedralja ka qenë simbol i fesë në periudhën e errët të diktaturës komuniste. E patën prishur, e patën shkishëruar, e patën kthyer në fabrikë. Por në fund të fundit, feja ngadhnjeu mbi diktaturën. Historia e katedrales së Moskës është plot me vuajtje, por edhe me shëlbim. Shembull sublim i stilit neogotik, kjo kishë përshkoi historinë e shekullit të kaluar, së bashku me popullin rus, siç kujtoi kardinali:
“Për Bashkimin Sovjetik – e jo vetëm për të – është një histori mallëngjyese 100 vjeçare, megjithëse katedralja nuk është përdorur gjatë gjithë këtij shekulli, por vetëm për 50 vjet. Mesha kremtohej jashtë, në shkallë, edhe gjatë dimrit, për ta bërë të dukshme dëshirën dhe të drejtën e besimtarëve të kishin kishën e tyre. Këto janë gjëra që të mallëngjejnë e që kanë të bëjnë me besimin në fe të këtij populli. Një popull, që e shpreh fenë e vet jo vetëm me mendje, por edhe me zemër”.
Katedralja, që i kushtohet shën Marisë, është kisha e parë e Moskës, e mbyllur nga bolshevikët. Ishte viti 1937: famullitari u pushkatua, besimtarët u persekutuan. Vijoi një dimër diktature prej mëse 50 vjetësh, që nuk arriti të shuante dritën e fesë në Krishtin. Pasi ra komunizmi, katolikët moskovitë pritën deri në vitin 1999, për shugurimin e ri të ndërtesës. Që atëherë, katedralja është vendi ku rreh zemra e bashkësisë katolike, e cila sheh me entuziazëm drejt së ardhmes, siç theksoi kardinal Tomko:
“Edhe Kisha e re ruse po rritet. Është e rëndësishme, që ajo të gjejë shprehjen e vet e të ketë thirrjet e veta për jetën rregulltare e meshtarinë”.
Në këtë 100-vjetor, të bien ndërmend fjalët e Ungjillit për Kishën, të cilat vlejtën edhe për gjendjen e katolikëve në Shqipëri: “Dyert e ferrit nuk do të ngadhnjejnë”. Vërtet, kryeipeshkvi i Moskës, imzot Tadeush Kondrusieviç, i pranishëm në kremtimin e së dielës, në çastin e kthimit të katedrales besimtarëve katolikë pati thënë: “Edhe në Moskë, që gjatë periudhës sovjetike konsiderohej kryeqyteti i ateizmit, fjala e fundit i takon Zotit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.