2011-10-02 16:57:42

U bë i njohur programi i udhëtimit apostolik të Papës në Benin


Salla e Shtypit e Vatikanit publikoi programin zyrtar të udhëtimit apostolik të Papës Benedikti XVI në Benin. Vizita, e 22-ta e papnisë, do të bëhet nga 18 deri më 20 nëntor, me rastin e nënshkrimit e të publikimit të Këshillimit Apostolik post-sinodal, ku përmblidhen reflektimet dhe propozimet e Sinodit për Afrikën të dy vjetëve më parë.
Papa do të mbërrijë në Kotonu, pasditen e 18 nëntorit e do të vizitojë menjëherë katedralen e qytetit. Të nesërmen do të takohet me anëtarët e qeverisë, me përfaqësuesit e institucioneve të Republikës, me Trupin Diplomatik dhe me përfaqësuesit e feve kryesore të vendit në Pallatin Presidencial. Më pas, vizita e kortezisë te presidenti i Republikës. Që këndej, Ati i Shenjtë do të shkojë në Uidah për t’u lutur te varri i kardinalit Bernardë Gantin, për t’u takuar me meshtarët, seminaristët, rregulltarët dhe besimtarët katolikë. Pastaj, do të shkojë në Bazilikën e Zojës së Papërlyer, ku do të nënshkruajë Këshillimin Apostolik post-sinodal. Pasdite, sërish në Kotonu për një vizitë në vendstrehimin “Paqe e gëzim” të Misionareve të Dashurisë, për takimin me fëmijët e më pas, me ipeshkvijtë e Beninit.
Të dielën, më 20 nëntor, në Stadiumin e Miqësisë, Papa do të kryesojë Meshën, gjatë së cilës do t’u dorëzojë ipeshkvijve të Afrikës, Këshillimin Apostolik post-sinodal. Pasdite, ceremonia e lamtumirës në aeroportin ndërkombëtar “Kardinali Bernardë Gantin” të Kotonusë dhe kthimi në Vatikan.







All the contents on this site are copyrighted ©.