2011-10-02 16:58:29

Shenjtorët e javës 2 – 9 tetor 2011


Sot e dielë, 2 tetor, Kisha kremton të dielën e 27-të gjatë vitit kishtar e gjithnjë sot kalendari kishtar përkujton edhe festën e Engjëjve të Rojës.

Nesër e hënë, 3 tetor kalendari kishtar katolik përkujton shën Kandidën e shën Gerardin.

Të martën e ardhshme më 4 tetor do të përkujtojmë shën Françeskun e Asizit, themeluesin e Urdhërit të françeskanëve, i mirënjohur dhe i nderuar në trevat shqiptare.

Të mërkurën, 5 tetor, Kisha Katolike kremton festën e shën Plaçidit e të shën Maurit, dishepuj të shën Benediktit, dhe shën Maria Faustina Kovalskën, shpallur shenjtë nga Gjon Pali II.

Të enjten e ardhshme, kalendari kishtar do të përkujtojë Shën Brunon nga Kalabria, meshtar, themelues i Çertozinëve.

Të premten, më 7 tetor bie festa e Zojës Rruzare. Po më 7 tetor përkujtohen edhe shenjtorët Sergji e Baku, martirë, shumë të nderuar nga populli shqiptar, të cilëve u kushtohet edhe një nga kishat më të lashta në Shqipëri. Kisha ndodhet vetëm 40 minuta larg qytetit të Shkodrës, pranë fshatit Shirq, ku lumi Drin bashkohet me Bunën. Muret e saj kanë nisur të ngrihen në shekullin VI për nderim ndaj dy martirëve, emrat e të cilëve në shqip morën trajtat Shën Shirqi e Shën Bahti.

Të shtunën e ardhshme me 8 tetor kalendari kishtar përkujton shenjtoret Benedikta dhe Pelageja, virgjëra e martire.

E diela e ardhshme është e 28-ta e vitit kishtar. Kalendari na propozon shembullin e shën Dionisit, ipeshkëv e të shokëve të tij martirë; të shën Gjon Leonardit, meshtar, themelues i Klerikëve Rregulltarë të Nënës së Zotit dhe të shën Abrahamit, patriark.







All the contents on this site are copyrighted ©.