2011-10-02 16:58:15

Predikimi i Sh. T. Imzot Rrok Mirdita në meshën për mbylljen e Asamblesë Plenare të CCEE – Tiranë, 2 tetor 2011


Shumë të dashur vëllezër e motra,
Shëmbëlltyra ungjillore që sapo kemi dëgjuar na udhëheq drejt kuptimit më të thellë të zbulimit biblik dhe na lejon të hyjmë, më në fund, në misterin e përjashtimit të Krishtit nga njerëzit, për të gjetur se çfarë kuptimi ka dhe çfarë do të thotë ky përjashtim. Me një lexim të parë të kësaj pjese të ungjillit hyjmë në kontekstin historik të zanafillës së krishtërimit dhe kuptojmë se bashkësia e parë e krishterë e ka konsideruar veten si popullin e ri të Hyjit, pasardhës i Israelit, në të cilin të gjithë janë të thirrur për të qenë rojtarë dhe punëtorë të asaj vreshte që Zoti ka mbjellë për të prodhuar fryte. Edhe personazhet e shëmbëlltyrës shfaqen të dallueshëm brenda historisë së Biblës. Vreshtarët duket se përfaqësojnë Israelin, ose më ngusht krerët dhe barinjtë e tij. Shërbëtorët e pronarit që keqtrajtohen e vriten përfaqësojnë profetët, ndërsa biri i pronarit përfaqëson vetë Krishtin. Vreshti është mbretëria e themeluar nga Hyji. Ajo i është ofruar më parë Israelit, pastaj Kishës, që të kujdeset për të e të nxjerrë prej tij fryte për vete e për Hyjin.
Shëmbëlltyra shpjegon ngjarjen historike të kalimit nga populli i Israelit tek populli i Hyjit që është Kisha, shpjegohet vetë në atë kontekst, por nuk shterrohet aty.
Sikurse gjithë fjala e Hyji, edhe pjesa e Ungjillit sipas Mateut që kemi dëgjuar ka dy përmasa themelore. Njëra është ajo e konkretësisë historike dhe tjetra është ajo e vlerës universale. Nëse vrasja e birit në shëmbëlltyrë konkretizohet historikisht në kryqëzimin e Birit të Hyjit në Golgota, pikërisht kjo histori konkrete e Birit bëhet çelësi që i hap të gjitha historitë dhe ngjarjet njerëzore, edhe historinë dhe ngjarjen tonë. Kjo gjë bën të mundur që ne, papritur, të gjendemi brenda shëmbëlltyrës, përballë Birit që vjen për të vdekur. Pikërisht ngaqë ajo histori konkrete e Krishtit ka një vlerë universale, e si e tillë ka të bëjë edhe me jetën tonë sot, ungjilli nuk është thjesht një kujtim i së shkuarës, por një lajmërim solemn që flet në të tashmen. Të ungjillëzosh, atëherë, do të thotë të hysh brenda Ungjillit, domethënë brenda historisë së Krishtit, sepse vetëm kështu mund të kuptohet se në të vërtetë është ai që ka hyrë në historinë tonë.
Le të hyjmë tani në faqen e Ungjillit të sotëm e të shohim si flet ajo për historinë tonë dhe jetën tonë. Në këtë tregim flitet për tradhëtim të mirëbesimit nga ana e vreshtarëve, për dhunë, për dëshirën për kamje dhe për zotërimin e vreshtit të dikuj tjetër: “Ta vrasim e t’i marrim trashëgiminë!” (Mt 21, 38). Le të dalim tani nga identifikimi historik i vreshtarëve me Israelin e të shohim tek vreshtarët thjesht njeriun.
Ky varg na thotë se njeriu është pambarimisht në kërkim të trashëgimisë, pra të një të ardhmeje që nuk mund ta krijojë vetë. Gënjimi se mund ta krijojë vetë të ardhmen e vet dhe trashëgiminë e vet, e shtyn njeriun në dhunë, në asgjësimin e tjetrit, sepse tjetri duket si kërcënim kundrejt ekzistencës sonë. Në themel të gjithë kësaj ngatërrese mendore e shpirtërore brenda njeriut, që prodhon frikë për të ardhmen e dhunë në të tashmen, qëndron harresa ndaj Zotit, ose, edhe më keq, tradhëtimi i mirëbesimit të tij, mohimi i ekzistencës së tij. Shëmbëlltyra na thotë që në fillim se pronari, pasi ua besoi vreshtin vreshtarëve, “iku larg” (Mt 21, 33), duke prekur kështu misterin e fshehjes së Hyji.
Misteri i fshehjes së Hyjit, që është themeli i lirisë së njeriut dhe shprehja më e lartë e respektit dhe e besimit të Hyjit kundrejt kësaj kryevepre të madhe të tij që jemi ne, kthehet tragjikisht në hapësirën e shpërdorimit tonë, në kryerjen e mosnderimit, në tundimin helmues për t’i zënë vendin në këtë botë. Ky shpërdorim ekzistencial i misterit të fshehjes së Hyjit lind shpesh herë si shkak i mosbesimit tek ai. Megjithatë, nganjëherë mund të ndodhë se ushqehet nga keqbesimi, e atëherë bëhet edhe më i rrezikshëm, sepse ngrihet në teorinë filozofike, politike apo sociale të përjashtimit të Hyjit nga punët e kësaj bote.
Shumë të dashur vëllezër e motra, sa herë që njeriu ka dashur t’i zërë vendin Hyjit në historinë e botës, ka shkaktuar tragjedi të pallogaritshme. Le të mendojmë vetëm historinë e vonë të vendit tonë, ku komunizmi, gjoja për të ndërtuar utopinë marksiste të lumturisë së të gjithë njerëzve mbi tokë, e ka shpallur Hyjin të tepërt, të padobishëm, madje të dëmshëm. Le të mendojmë se si ka vrarë, ka futur në kampe përqendrimi dhe ka ndryrë në errësirën e dendur të qelive të burgjeve të gjithë njerëzit e Hyjit, meshtarë, rregulltarë e laikë, pikërisht siç kanë bërë vreshtarët e ungjillit të sotëm me shërbëtorët e pronarit. Cili ka qenë premtimi që sipas tyre arsyetonte këtë dhunë? Lumturia, mirëqenia, paqja. Cili ka qenë përfundimi i vendimit për të përjashtuar Hyjin? Mjerimi, lufta e klasave, prirja për ta parë tjetrin si një armik të mundshëm, mbyllja e plotë kundrejt botës, zbrazëtia e frikshme shpirtërore. Kanë përjashtuar Hyjin në emër të lirisë, por në realitet kanë ngritur një burg të padurueshëm. Ne jemi i vetmi popull në planet që, me shpalljen e ateizmit me kushtetutë, na është dashur të provojmë mbi lëkurë se si një shoqëri pa Hyjin është një shoqëri pa liri, në të cilën është e vështirë, për të mos thënë e pamundur, t’i vihet pritë dhunës.
Njeriu është që në strukturën e tij i hapur ndaj Hyjit. Kjo hapje e bën atë një qenie të lirë, me një liri që nuk mund të kufizohet nga asnjë pushtet i kësaj bote, as nga vdekja. Për këtë arsye njerëzit e Hyjit, sikurse shërbëtorët e pronarit në shëmbëlltyrë, nuk e mbyllin me vdekjen misionin e tyre, por e përmbushin pikërisht duke vdekur, sepse vdekja për Hyjin është shpallja e lirisë së tyre. Martirizimi i Kishës në Shqipëri, nën shtypjen e rëndë të regjimit që kërkonte mohimin e besimit, është një provë e dukshme se marrëdhënia me Hyjin bën të lirë. Në atë burg të madh që ishte Shqipëria nën komunizëm, besimi i fshehtë i besimtarëve ishte dritarja e vetme e lirisë. Mendoj se fakti që Asamblea Plenare e Këshillit të Konferencave Ipeshkvore të Evropës e trajton temën e ungjillizimit të ri të Europës pikërisht në Shqipëri nuk është një rastësi, por vepër e Provanisë. Kush më mirë sesa vendi ynë mund t’i çojë Europës, që po rrëshqet drejt laicizmit të skajshëm, një mesazh të fortë, që të mos e përsërisë atë gabim të rëndë të përjashtimit të Hyjit nga jeta socialë, çmimin e hidhur të të cilit populli ynë vazhdon ta paguajë ende. Në udhëtimin e tij historik në Shqipëri më 25 prill 1993 Papa Gjon Pali II tha këtu në Tiranë, duke iu referuar asaj që kishte ndodhur në Shqipëri: “Drama juaj, shqiptarë shumë të dashur, i intereson, duhet t’i interesojë, të gjithë kontinentit europian dhe është e domosdoshme që Europa të mos harrojë.” Kësaj Europe Kisha jonë duhet të dijë t’i tregojë edhe një herë Ungjillin e lirisë, por si mund ta bëjë këtë?
Pjesa e Ungjillit të sotëm na e tregon rrugën. Kisha duhet të dijë t’i flasë njeriut të sotëm. Njeriu i sotëm, sikurse vreshtarët e shëmbëlltyrës, është në kërkim të trashëgimisë: “Ta vrasim e të marrim trashëgiminë”. Njeriut të sotëm nuk i mjafton e sotmja, nuk i mjafton ajo çfarë ka arritur, për këtë arsye thellë-thellë ankon një pakënaqësi dhe është në kërkim të diçkajë “më shumë”. Njeriu kërkon të tërën, dëshiron të tërën, “trashëgiminë”. Nëse e tëra është shpagim dhe shëlbim, atëherë mund të thuhet se njeriu i sotëm po kërkon shpagimin dhe shëlbimin. Kjo nevojë e brendshme ekzistenciale e njeriut për të kërkuar plotësinë, mund të bëhet e papërballueshme, deri në pikën e keqbërjes: “Ta vrasim e të marrim trashëgiminë”. A nuk është vallë e keqja që bën njeriu për të plotësuar kënaqësitë e veta (hedonizmi) një rrjedhojë tragjike e kërkimit të tij të gabuar për shëlbim? Pikërisht ndërsa ushtron lirinë, kur përjashton Hyjin dhe bën të keqen, njeriu e humb lirinë e nuk mund ta shëlbojë veten. Duke folur për dorëheqjen nga besimi në Hyjin, në Motu proprio Ubicumque et semper, me të cilën themelon Këshillin Papnor për Ungjillizimin e Ri, Papa Benedikti XVI thotë: “Nëse e gjithë kjo është përshëndetur nga disa si çlirim, shumë shpejt është krijuar vetëdija e shkretëtirës së brendshme që lind aty ku njeriu, duke dashur të bëhet autor i vetëm i natyrës dhe i fatit të vet, gjendet i privuar nga ajo që përbën themelin e të gjithë gjërave”.
T’i shpallësh Ungjillin njeriut të kohës sonë do të thotë t’i japësh edhe një herë atë themel nga i cili është vetëprivuar, ta shëlbosh e t’i kthesh lirinë.
Por cili është Ungjilli? Ardhja e Birit dhe vdekja e tij, sikurse në shëmbëlltyrë, është lajmi i mirë i Hyjit për njerëzit, që Kisha duhet të dijë t’ia tregojë botës.
“Ta vrasim e të marrim trashëgiminë”. Kjo është ajo që ka ndodhur. Paradoksi ungjillor na mahnit, sepse pikërisht në vdekjen e Birit në kryq Hyji i ka hapur njeriut hyrjen në trashëgiminë e qiellit, shpagimin nga vdekja dhe jetën e amshuar. Guri që ndërtuesit e hodhën tej, Krishti i kryqëzuar, u bë guri i qoshes E keqja jonë, brenda së cilës gjithçka dukej errësirë, ngatërrim e dëshpërim, ndriçohet nga drita e Krishtit, që vdes për të na dhënë si trashëgim vreshtin e tij, mbretërinë e qiellit. Çfarë do të thotë të ungjillizosh Europën sot? Do të thotë t’i tregosh gurin e hedhur tej, tani së voni edhe prej asaj vetë, që ky gur, Krishti, të bëhet edhe një herë themeli i saj. Për ta bërë këtë, duhet ta shikojmë me guxim të keqen e kontinentit tonë, duhet të shikojmë me dashuri burrat dhe gratë e tij dhe, në vend që të ankohemi e të presim që e keqja të kalojë, duhet të shpallim me besim praninë e atij që me vdekjen e vet i jep kuptim dhimbjes, sjell faljen dhe hedh dritë të re mbi jetën. Të shpallësh Ungjillin do të thotë t’ia kthesh e jo t’ia heqësh lirinë njeriut, atë liri që është rivendosje e marrëdhënies me Hyjin dhe dhurim jete për njerëzit. Të shpallësh ungjillin do të thotë t’i japësh njeriut të sotëm europian atë “më shumë” që është duke kërkuar e që askush nuk mund t’ia japë përveç Kishës; t’i japësh atë “trashëgimi” për të cilën nuk ka më nevojë “të vrasë”, sepse Biri i Hyjit është kushtuar, ka vdekur dhe është ringjallur që ne ta kemi.
Dashtë Nëna e Këshillit të Mirë, Pajtorja e Shqipërisë, dhe të gjithë martirët e kishës shqiptare, t’i ndihmojnë kishat e Evropës në këtë mision të madh. Amen.








All the contents on this site are copyrighted ©.