2011-09-30 17:23:42

Përshëndetja e Em. T. Kard. Peter Erdo drejtuar Presidentit të Republikës së Shqipërisë


Shumë i nderuar Shkëlqesia Juaj President i Republikës,

Do të doja, para së gjithash, të falënderoja Shkëlqesinë Tuaj në emër të të gjithë Kryetarëve të Konferencave Ipeshkvore të Evropës, që përfaqësojnë këtu Kishën Katolike 41 vendeve, për ftesën Tuaj mirësjellshme dhe për këtë takim shumë domthënës për ne.

Kemi ardhur në Tiranë me ftesë të Sh. T. Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv i Tiranës dhe Kryetar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, për të marrë pjesë në takimin tonë të përvitshëm në të cilin do të kemi rastin të përsiasim së bashku rreth disa çështjeve me interes të përbashkët të Kishës në Evropë. Katolikët, në fakt, përbëjnë një Kishë të vetme në të gjithë botën, një familje, që mishërohet në çdo kulturë me një dëshirë të vetme, me dëshirën për të sjellë Jezusin, Shpëtimtarin, në jetën e çdonjërit, duke përforcuar kështu dashurinë, solidaritetin dhe vëllazërinë në të githa bashkësitë njerëzore.

Më duhet t’Ju shpreh, Shkëlqesi, emocionin e fortë që kemi ndjerë duke parë gjallërinë e popullit shqiptar në përgjithësi, por edhe gjallërinë e Kishës. Vendi juaj është njëri ndër vendet me përqindjen më të lartë të të rinjve në Evropë. Ky fakt përbën një themel të fortë për të ardhmen.

Sot shikojmë me vlerësim të veçantë shumë shenja të rritjes ekonomike dhe të përforcimit shoqëror në Shqipëri. Për këtë arsye, urojmë që edhe rastet e ndryshme që kanë të bëjnë me pronat kishtare të konfiskuara në kohën e komunizmit, të zgjidhen, sikurse në vendet e ndryshme të Lindjes Evropiane, në mënyrë që ta lejojnë Kishën të zhvillojë misionin e saj të përkujdesjes për të mirën shpirtërore dhe për veprat e bamirësisë në mbështetje të më të varfërve.

Shqiptarët e kanë pranuar Ungjillin që nga fillimi i Krishtërimit, prandaj Kisha është e pranishme në Shqipëri prej më shumë se 1800 vjetësh dhe është pjesë gjithëpërfshirëse e kulturës së këtij populli, sikurse shihet, për shembull, përmes dëshmisë së shenjtërve të mëdhunj dhe personazheve të besimit. Më lejoni të kujtoj në veçanti të Lumen Terezë të Kalkutës, që shumë prej nesh kanë pasur rastin ta takojnë personalisht dhe që ka qenë gjithmonë shumë krenare për popullin e vet. Nëse ndahen lavditë dhe gëzimet, nuk mund të harrohen as vuajtjet: gjatë pesëqind vjetëve të pushtimit osman dhe në të shkuarën e afërt, nën regjimin komunist, të gjihtë, katolike e jokatolikë kanë përjetuar frikën, mungesën e lirisë dhe të shpresës.

Shqipëria vlerësohet nga bota e krishterë si tokë martirësh. Besojmë se edhe për këtë arsye populli shqiptar sot dëshmonnjë hapje ndaj vlerave të mëdha që kanë në themel Zotin dhe që përbëjnë, pastaj, truallin e një shoqërie të barabartë dhe të kujdesshme ndaj atyre që janë më në nevojë. Shohim me gëzim marrëdhëniet e mira ndërmjet udhëheqësve të ndryshëm fetarë, disa prej të cilëve do të kemi rastin t’i takojmë nesër. Ky dialog dhe respekti i ndërsjelltë në një klimë lirie fetare të garantuar nga ligjet por edhe të rrënjosur thellë në kulturë, dukes se janë udha e drejtë e zhvillimit tërësor të shoqërisë. Urojmë që ky zhvillim zemërdhënës të mund të vijojë të jetë i dukshëm edhe në vende të tjera të Evropës e të mbarë botës. Vendet e Evropës së Lindjes, veçanërisht Shqipëria, e njohin mirë nevojën dhe vlerën e madhe të respektit të sinqertë. Ajo është ufha e vetme që shpie në një zhvillim të vërtetë e të plotë të individëve dhe të shoqërisë.

Pikërisht për këtë arsye ndajmë dëshirat dhe shpresat, sikurse edhe vuajtjet e popujve të ndryshëm. Gjithashtu, për shkak të kësaj afrie, e shohim me simpati aspiratën e popullit shqiptar për t’u njohur gjithmonë e më shumë si pjesë integruese e bashkësisë së popujve të Evropës. Jemi të sigurtë se, përveçse do të ketë përfitimet e veta, Shqipëria, me identitetin e vet dhe me pasuritë e saj njerëzore, mund të ofrojë ndihmesën e vet të veçantë për tërë Evropën.

Ju urojmë nga zemra Juve, Zoti President, famijes Suaj dhe të gjithë popullit shqiptar, çdo sukses dhe bekimin e begatë të Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.