Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj
here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës
Hyjnore të dielës së 27-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik
të kishës. Në Ungjillin e kësaj së diele, Jezusit e vazhdon mësimi e tij mbi vreshtin
e Zotit, një shëmbëlltyrë e dashur nga profetët e nga mbarë populli hebre, sepse vreshta
e Zotit është simbol i vet popullit të tij. Në shëmbëlltyrën e vreshtit, Jezusi
vënë në pah durimin e zemërgjerësinë e Zotit që përkujdeset dhe mbaron vreshtin e
vet dhe plotë durim, pret frytet e saj të besnikërisë e të veprave të mira, por edhe
mbrapshtinë e vreshtarëve që, nuk i njohin e nuk i pranojnë të drejtat e Pronarit,
duke refuzuar e vrarë të dërguarit e madje edhe djalin e tij. Me këtë shëmbëlltyrë,
Jezusi na mëson se dhuratat që fitojmë, duhet të japin fryte. Ne jemi vreshta e Zotit.
Ai kujdeset për ne, na udhëheq e na mbaron. Më tepër mbi liturgjinë e Fjalës së
Zotit të kësaj së diele, mund të dëgjoni këtu.. Leximi
i parë (Is 5, 1-7) Vreshti i Zotit të Ushtrive është shtëpia e Izraelit.
Lexim
prej Librit të Isaisë profet
Do t’ia këndoj të dashurit tim këngën e mikut
tim mbi vreshtin e tij. Miku im kishte vreshtin në një kodër të pëlleshme. E rrëmihi,
ia qëroi gurët, e mbëltoi me hardhi të zgjedhura, në midis të tij e ndërtoi kullën,
në të punoi edhe shtrydhësin. Priste se do t’i bënte rrush, por ai i bëri vetëm
larushk. Tash, banorë të Jerusalemit e ju burrat e Judesë, ndajeni këtë pleqëri mes
meje e vreshtit tim. Ç’u desh tjetër të bëja për vreshtin tim e që s’e paskam bërë?
Shpresoja se do të më jepte rrush, përse më dha vetëm larushk? Juve tash po ju dëftoj
ç’do t’i bëj unë vreshtit tim: do ta shthur gardhin e tij, që ta shkretojnë e ta bëjnë
djerrinë do t’i rrëzoj ledhet e tij që ta shkelin mirë e mirë. Le të bëhet krejt i
shkretë mos të kihet as mos të mihet, le ta mbulojnë halluga e ferra; reve do t’u
urdhëroj një pikë shi mbi të të mos lëshojnë. Vreshti i Zotit të Ushtrive është
shtëpia e Izraelit, fidanët e zgjedhur të tij janë banorët e Judesë. Prita të ushtrojnë
virtytet, kur qe, vetëm paudhësi; drejtësinë prita, ja ofshamat!
Fjala
e Zotit.
Psalmi 80 (79) Ref:Vreshti i Zotit është populli i
tij ____________________________ Vreshtin nga Egjipti e nxore e, për ta mbjellë
atë, paganët i dëbove; pinjollët e tij arritën deri në det, shermendet i qiti
deri në lumë. _____________________________ Gardhin pse ia theve që ta vjelë
çdo kalimtar? E dëmtoi derri i egër, e kulloti çdo egërsirë. _____________________________ Kthehu,
Hyji i ushtrive, shikoje nga qielli e shihe, eja, shihe këtë vresht, dili
zot se ti vetë e mbolle: djalit që për vete e rrite. _____________________________
Kurrë më nuk do të largohemi prej teje: na përtërij e do ta thërrasim emrin
tënd. O Zot, Hyji i ushtrive, deh ti, na përtërij, kthjelle fytyrën tënde e
na shpëto! _____________________________ Leximi i dytë (Fil 4, 6-9) Hyji
që jep paqen, do të jetë me ju.
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull
drejtuar Filipianëve
Vëllezër, për asgjë mos u shqetësoni, por gjithçka
- me lutje dhe me urata të përcjella me falënderim - paraqitjani Hyjit nevojat tuaja!
Dhe paqja e Hyjit, që është më e vlefshme se mund ta mendojmë, do t’i ruajë zemrat
tuaja dhe mendimet tuaja në Krishtin Jezus. Së fundi, o vëllezër, mundohuni të
keni për zemër gjithçka është e vërtetë, gjithçka është e ndershme, gjithçka është
e drejtë, gjithçka është e pastër, gjithçka është e shenjtë, gjithçka është e denjë
për dashuri, gjithçka është e denjë për lavdi, gjithçka është virtyt. Çka keni mësuar,
çka keni marrë, çka keni dëgjuar dhe parë në mua - atë bëni - dhe Hyji që jep paqen
do të jetë me ju. Fjala e Zotit
Ungjilli (Mt 21, 33-43) Vreshtin
e vet do t’ua japë vreshtarëve tjerë.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas
Mateut
Në atë kohë, Jezusi u tha kryepriftërinjve, kryetarëve dhe pleqve
të popullit: “Dëgjoni shëmbëlltyrën tjetër: Ishte një zotshtëpie që kishte mbjellë
një vresht. E thuri me gardh, punoi shtrydhësin e rrushit, ndërtoi kullën, ua dha
vreshtarëve ta punojnë për gjysmë dhe shkoi në vend të huaj. Kur u afrua koha e
të vjelave, dërgoi te vreshtarët shërbëtorët e vet për të marrë frytin që i takonte.
Vreshtarët i kapën shërbëtorët: njërin e rrahën, një tjetër e mbytën e një tjetër
e vranë me gurë. Prapë dërgoi shërbëtorë tjerë, më shumë se të parët, porse edhe atyre
ua bënë ashtu. Në fund dërgoi të birin duke menduar: ‘Do të kenë nderim ndaj djalit
tim!’ Porse vreshtarët, kur e panë djalin i thanë njëri-tjetrit: ‘Ky është trashëgimtari!
Ejani ta vrasim dhe neve do të na mbesë pasuria e tij.’ E kapën, e qitën jashtë vreshtit
dhe e vranë. Tashti, kur të vijë i zoti i vreshtit, çka do t’u bëjë këtyre vreshtarëve?” I
përgjigjën: “Të këqijtë do t’i zhbijë keqas e vreshtin e vet do t’ua japë vreshtarëve
tjerë, të cilët do t’i japin frytin posa të vijë koha e të vjelave.” Jezusi u tha:
“A nuk e lexuat asnjë herë në Shkrimin shenjt: ‘Guri që ndërtuesit e qitën jashtë
përdorimit u bë guri i këndit; kjo është vepër e Zotit, se ç’mrekulli në sytë tanë!’ Prandaj
po ju them: juve do t’ju hiqet dore Mbretëria e Hyjit e do t’i jepet një populli që
i prodhon frytet e saja