2011-09-30 16:36:06

Kardinal Ravazi në Strasburg: “Bibla, kodi i Evropës së sotme”


“Bibla është kodi i madh i identitetit të Evropës së sotme, natyrisht jo i vetmi, por sigurisht nga ata pa të cilët s’mund të bëhet”. Kështu foli në Strasburg, kryetari i Këshillit Papnor për kulturën, kardinali Gjanfranko Ravazi, para asamblesë së Parlamentit Evropian. Prelati theksoi se është Shkrimi i Shenjtë burimi kryesor i kulturës evropiane e në Bibël gjenden elementet thelbësore për të kuptuar historinë dhe shpirtin e sotëm të kontinentit.
Në botën aktuale, nënvizoi kardinali Ravazi, është e nevojshme që dialogu ndërkulturor e ndërfetar të marrë hov të ri, në mënyrë që të shmanget ndeshja ndërmjet qytetërimeve të ndryshme. Në fund, kreu i dikasterit vatikanas për kulturën u bëri thirrje feve dhe politikës të impenjohen për të bashkuar copëzat e mozaikut evropian në një unitet, në shërbim të njerëzimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.