2011-09-29 18:12:03

Konferenca për shtyp e Sh. T. Imzot Rrok Mirdita


Të nderuar Zonja dhe Zotërinj,
Kur i kam drejtuar Këshillit të Konferencave Ipeshkvore Evropiane ftesën për të mbajtur Asamblenë Plenare në Tiranë, kam mbajtur parasysh dy gjëra: 1. Mesazhin që një mbledhje e tillë do t’i jepte Shqipërisë. E mesazhi është ky: Kisha Katolike në Evropë e konsideron Shqipërinë, e theksoj, Shqipërinë e jo vetëm Kishën Katolike në Shqipëri, si një pjesë të vyer të këtij kontinenti. 2. Mesazhin që Shqipëria i jep Evropës. E mesazhi është ky: shoqëria njerëzore qëndron apo bie në vartësi të kujdesjes për shpirtin e saj. Lartësimi i materiales në dëm të kujdesjes për gjërat e përjetshme e çon njeriun dhe shoqërinë drejt një vdekjeje të ngadaltë. Ne kemi pasur përvojën e materializmit marksist dhe kemi njohur zbrazëtinë shpirtërore që ka shkaktuar, prandaj duam që Evropa ta dijë. Falënderoj Kryesinë e CCEE që na ka dhënë këtë mundësi.
Kjo mbledhje është e rëndësishme edhe për faktin se mund të rizgjojë në shoqërinë tonë dëshirën për t’u njohur me Kishën.
Tema e Asamblesë Plenare është Ungjillizimi i Ri, që do të thotë tregim i ripërtërirë i të njëjtit lajm të mirë të dashurisë së Zotit për njerëzit, që na ka zbuluar Krishti. Vendi ynë është ungjillizuar që në shekullin e parë pas Krishtit. Ungjilli mund të shpallet vetëm nga Kisha dhe, kur përqafohet, e përtërin Kishën. Ungjillizim i Ri në Shqipëri do të thotë Kishë e ripërtërirë. Për një gjë të tillë ka nevojë të ngutshme shoqëria jonë. Por si mund të bëhet ungjillizimi dhe si ripërtërihet Kisha? Nuk ka asnjë rrugë tjetër pëveç asaj apostolike. Tregimi i ungjillit bëhet i mundur vetëm me anë të takimit me të tjerët, takim që përfshin jetën tënde dhe prek jetën e tjetrit. Këtë ka bërë Krishti me apostujt; këtë duhet të bëjnë të krishterët. Kjo përfshirje duhet të jetë e plotë, deri në martirizim, sikurse ka ndodhur që herët në krishtërim, sikurse ka ndodhur edhe së voni me të krishterët shqiptarë. Liria, që aq shumë kemi dëshiruar dhe më në fund e kemi arritur. Ka nevojë tani për një ndjenjë përgjegjësie që buron nga dashuria. Përqafimi i ungjillit e bën të përgjegjshme lirinë njerëzore. Për këtë, ungjillizimi i ri është i rëndësishëm për Shqipërinë. Faleminderit.








All the contents on this site are copyrighted ©.