2011-09-29 18:12:14

Fjala e mireseardhjes e imzot Rrok Mirditës në mbledhjen e ipeshkvijve evropianë në Tiranë


Eminenca Juaj shumë e nderuar Kard. Peter Erdo, Kryetar i Këshillit të Konferencave Ipeshkvore të Evropës,

Shkëlqesia Juaj Zoti Kryeministër, Shkëlqesi të nderuara Nunci Apostolik në Shqipëri dhe Nunci Apostolik pranë Bashkimit Evropian,

Shumë i nderuar Mons. Aldo Giordano Vrojtues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Këshllit të Evropës,

Të dashur sivëllezër,

Është gëzim i madh dhe emocion i veçantë t’u them një fjalë mirëseardhjeje barinjve të Kishave të Evropës të mbledhur në Tiranë për të reflektuar mbi Ungjillizimin e Ri të Kontinentit të Vjetër. Së bashku me gëzimin dhe emocionin, buron nga thellësitë e zemrës një ndjenjë e fortë mirënjohjeje. Mirënjohje për Hyjin, që i ka dhuruar popullit tonë këtë stinë të re të lirisë, pas mundimit të gjatë të njërave prej diktaturave më të egra të historisë. Mirënjohje ndaj Kardinalit President, që më ka inkurajuar të paraqes në Asamblenë Plenare të fundit të Këshillit të Konferencave Ipeshkvore të Evropës ftesën për t’u mbledhur këtë vit në kryeqytetin tonë. Mirënjohje për të gjithë ju që keni dashur të pranoni ftesën që Ju kam drejtuar në emër të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë.
Në këtë seksion të hapjes së mbledhjes plenare kemi nderin të kemi të pranishëm Kryetarin e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, Sh. T. Zotin Sali Berisha, që pas pak do të na drejtojë fjalën e tij.
Zoti Kryeministër, prania Juaj në hapjen e këtyre punimeve nuk është vetëm shenjë e vlerësimit Tuaj personal kundrejt ndihmesës që jep Kisha për të mirën e vendit tonë, por edhe shprehje e fortë e shndërrimit të madh që ka ndodhur në Shqipëri, ku, deri para njëzet vjetësh, e vetmja marrëdhënie që kisha kishte me shtetin ishte ajo e martirizimit.
Duke shprehur mirënjohjen për nderimin që i bëni asamblesë sonë me praninë tuaj, më lejoni t’Ju them se Kisha Katolike në Shqipëri e ka paguar me vullnetin e vet, përgjatë gjithë historisë, çmimin e hidhur të besnikërisë së dyfishtë dhe të pandashme që karakterizon Kishën në të gjitha vendet: besnikëri ndaj Hyjit dhe ndaj Papës, nga njëra anë, besnikëri ndaj atdheut dhe të mirës së tij nga ana tjetër. Në këtë mënyrë ajo është bërë rojtare e fesë apostolike të predikuar në tokën tonë që nga fillimet e krishtërimit, rojtare e gjuhës dhe e zakoneve kombëtare gjatë pushtimit osman dhe simbol i triumfit të ndërgjegjes nën persekutimin komunist. Kur martirët e Kishës sonë, nën përndjekjen komuniste, përpara se të merrnin ekzekutimin e dënimit kapital, thonin: “Rroftë Krishti Mbret!”, “Rroftë Papa!”, “Rroftë Shqipëria!” dhe “Fali o Atë se nuk dinë çfarë bëjnë!”, i bindeshin binomit katoli: Fides et Patria, sipas të cilit, besimi nuk është arratisje nga toka, por angazhim në të mirë të tokës për dashuri ndaj Zotit. Forca e martirizimit që ka karakterizuar Kishën tonë gjatë shekujve gjendet në dashurinë e saj për Zotin. Besoj se nuk bëj mëkatin e mendjemadhësisë nëse them se vendi ynë mund të jetë krenar si pak vende të tjera për historinë e Kishës së tij Katolike. Simpatia me të cilën Ju personalisht dhe Shteti Shqiptar ndjek rritjen e Kishës Katolike në Shqipëri në këto 20 vjet, sikurse ndodh edhe me bashkësitë tjera fetare, nuk shpjegohet vetëm me angazhimin e madh aktual që kisha është duke vënë në veprim për ringritjen e shoqërisë sonë, por edhe me të shkuarën e lavdishme të saj. Jam i sigurtë se, pavarësisht nevojave të shumta që duhet të përballojë qeveria juaj, nuk do të mungojë mbështetja e mëtejshme ndaj veprës që Kisha bën për të mirën e vendit.
Shumë të dashur vëllezër në episkopat, historia e vuajtur e kishës në Shqipëri nuk ka shkaktuar në bashkësinë besimtare as mëri, as ndjenja përjashtuese. Nuk ka zhvilluar tek anëtarët e saj një ndjenjë inferioriteti, për shkak të pakicës numerike, dhe as një ndjenjë epërsie, për shkak të thesareve kombëtare që ka ruajtur, ndër të cilët është gjuha e shkruar, kundrejt bashkësive të tjera fetare. Ajo ka marrë pjesë me një frymë të çiltër në ngritjen e tërë kombit në atë harmoni ndërfetare që është tipike e popullit tonë dhe që është njëra ndër vlerat më të mëdha që kemi për t’i ofruar si model Evropës bashkëkohore dhe botës mbarë.
Pas një periudhe të gjatë përsekutimi, bashkësia katolike e kombit tonë është gjendur e dobësuar dhe me një numër të vogël priftërinjsh dhe rregulltarësh, që u kanë mbijetuar burgjeve të diktaturës. Ajo ka mbetur e varfër për shkak të shkretimit komunist të të mirave materiale që janë të domosdoshme për të kryer misionin e saj. Megjithatë, ajo është e fortë në sajë të dëshmisë ungjillore deri në martirizim të bijve të saj.
Kishat e vendeve tuaja kanë qenë zemërgjerë me ne gjatë këtyre njëzet vjetëve, duke dëshmuar atë bashkim që, edhe pse në respekt të plotë të kufinjve kombëtarë, nuk njeh kufinj. Ky është për mua një rast shumë i volithsëm për të shprehur, në emër të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, mirënjohjen e thellë për solidaritetin tuaj.
Kisha dhe shoqëria në Shqipëri kanë përjetuar një rritje të pamendueshme gjatë këtyre njëzet viteve, por Shqipëria ka ende shumë nevojë për ndihmën e Evropës. Aspirata për të hyrë në Bashkimin Evropian është njëra ndër aspiratat më të miratuara nga populli ynë. Hapat që duhet të përmbushë Shqipëria janë ende të shumtë dhe jam i bindur se do t’i përmbushë, por kemi nevojë edhe për mbështetës. Më lejoni t’ju kërkoj me përvujtëri që të jeni avokatët e vendit tim pranë vedneve tuaja.
Kisha në Evropë e përjeton me shqetësim procesin e shekullarizimit të shpejtë të kontinentit. Kjo është arsyeja për të cilën Ati i Shenjtë Benedikti XVI ka themeluar Këshillin e Ri Papnor dhe që CCEE ka zgjedhur temën e Ungjillizimit të ri për këtë plenare në të cilën duhet përkujtuar edhe dyzetvjetori i saj. Por nuk duhet të na mungojë guximi dhe besimi tek Provania hyjnore. Nëse, për shembull, dikush do të kishte thënë pak para 20 vjetësh se në Shqipëri do të predikohet shpejt Ungjilli, do të mendonim se fliste përçart. Kjo jo vetëm që ka ndodhur, por sot kam nderin të përshëndes të gjithë Kishën e Evropës të pranishme në Tiranë të përfaqësuar prej jush. Zoti e drejton historinë në shtigje të pashqyrtueshme. Nga Shqipëria, që deri para njëzet vjetësh ishte ateiste, do të shkojë drejt Evropës një përsiatje mbi ungjillizimin e ri. Përvoja e mrekullisë së ndodhur që kemi përjetuar në Shqipëri, na mëson edhe një herë që të kemi besim tek ai. Ai që e ka themeluar Kishën, do t’i tregojë udhën e ungjillizimit të ri.
Duke ju drejtuar mirëseardhjen time, i kërkoj Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtores së vendit tonë, të Lumes Tereza të Kalkutës, bijës së kombit tonë, dhe martirëve shqiptarë të na shoqërojnë nga qielli gjatë këtyre ditëve.



+ Rrok Mirdita
Arqipeshkëv Tiranë – Durrës
Kryetar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë








All the contents on this site are copyrighted ©.