2011-09-27 15:07:34

Impenjimet e ardhshme të Papës, gjatë tetorit e nëntorit


Menjëherë pas vizitës në Gjermani, Papën Benedikti XVI e presin impenjime të tjera. Gjatë muajit tetor, spikasin, vizita e Atit të Shenjtë më datën 9, në Lamezia Terme, qytet i Italisë, ndërtuar vetëm 40 vjet më parë; Mesha për pjesëmarrësit e Takimit dy ditor, organizuar nga Këshilli Papnor për Ungjillëzimin e Ri, të dielën, 16 tetor; ngritja në nderimet e elterit si shenjt i Kishës Katolike për të Lumin Guido Maria Konforti, themelues i Saverianëve, për të Lumin don Luigji Guanela, meshtar i madh për hir të impenjimit të tij për më të varfërit dhe për të Lumen Bonifacia Rodrigez Kastro, themeluese e Motrave Shërbëtore të Shën Jozefit; së fundi, lutja e përgatitjes për Takimin e Asizit, të mërkurën, më datë 26, në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Papa do të shkojë të nesërmen në Asizi për Ditën e reflektimit e të lutjes për paqen e dialogun në botë, së bashku me përfaqësues të feve të tjera të krishtera e jo, sipas frymës, që i ka dhënë këtij takimi, themeluesi i tij, i Lumi Gjon Pali II.
Muaji nëntor për katolikët, karakterizohet nga nderimi për të afërmit e vdekur, me shpresën se janë pranë Atit të Gjithpushtetshëm. Edhe Papa, ashtu si të gjithë besimtarët, lutet për paraardhësit e vet. Kështu, të mërkurën, më 2 nëntor, në ditën e përkujtimit të të vdekurve, Benedikti XVI do të lutet për Papët e mëparshëm, në Varret e Bazilikës së Vatikanit, në orën 18.00. Edhe të nesërmen, ditën e enjte, Papa do të kremtojë një meshë për shpirtin e të gjithë kardinajve dhe të ipeshkvijve, që janë ndarë nga kjo jetë gjatë këtij viti. Të premten, më 4 nëntor, Jozef Racinger, ish-profesori i teologjisë, do të kryesojë Lutjen Mbrëmësore për fillimin e Vitit të ri Akademik në Universitetet Papnore. Pa dyshim, kulmi i veprimtarisë së Papës gjatë nëntorit, do të jetë udhëtimi i tij apostolik në Benin të Afrikës, nga 18 deri më 20 nëntor, me rastin e 150-vjetorit të ungjillëzimit të vendit.
Por le të ndalemi pak në udhëtimin më të afërt të Atit të Shenjtë, atë në Lamezia Terme në Kalabri, më 9 tetor. Programi i vizitës u bë i njohur sot. Me të arritur në aeroportin e qytetit, Papa do të shkojë në periferinë industriale për të kremtuar meshën dhe për të thënë Lutjen e Engjëllit të Tënzot, së bashku me popullsinë. Pasdite, në orën 16.30 do të përshëndesë organizatorët e vizitës e do të shkojë me helikopter në Çertozën e Serra San Brunos, gjithnjë në Kalabri, ku do të përshëndesë popullatën në sheshin e Shën Shtjefnit, pikërisht para Çertozës. Benedikti XVI do të kremtojë Lutjet Mbrëmësore së bashku me çertozinët e me besimtarët në orën 18.00. Më pas, do të takohet me bashkësinë e çertozinëve dhe do të vizitojë një qelë e infermierinë e Çertozës, për t’u kthyer në Romë, po të dielën, më 9 tetor.
Kujtojmë se Urdhëri i Çertozinëve, themeluar nga Shën Bruno në vitin 1084 në Francë, është urdhër murgar kundrues. Çertoza s’është tjetër, veçse kuvendi, ku murgjërit jetojnë si eremitë, në bashkësi të vogla. Përveç lutjeve të ditës, në vetmi e në klauzurë, murgjërit çohen edhe dy herë natën për ta lutur Zotin për të gjithë njerëzit.








All the contents on this site are copyrighted ©.