2011-09-26 16:20:04

Benedikti XVI pas kthimit nga Gjermania: kam besim në të ardhmen e krishterimit


Papa Benedikti XVI përfundoi mbrëmë udhëtimin e tij në Gjermani, ku vizitoi Berlinin, Erfurtin dhe Frajburgun. Gazetat gjermane, aspak entuziaste para kësaj vizite, komentonin sot me tone mirëdashëse e me respekt katërditëshin e Atit të Shenjtë dhe fjalët, që u drejtoi bashkëkombasve të vet.RealAudioMP3
Na pëlqen këtu të përmendim çastin, kur Papa citoi fjalët e bijës së madhe të kombit shqiptar, së Lumes Nënë Terezë, marrë si shembull pikërisht në takimin e djeshëm me katolikët e impenjuar në Frajburg, për t’u thënë atyre dhe mbarë botës se Kisha duhet të largohet nga gjërat materiale, për të qenë më besnike ndaj Ungjillit e për t’iu përgjigjur etjes së njerëzve për Zotin. Benedikti XVI kujtoi se si dikujt, që e pyeste cila ishte gjëja e parë për t’u ndryshuar në Kishë, Nënë Tereza i përgjigjej: “Ju dhe unë”. E Papa komentoi:
“Ky episod i vogël na bën të qarta dy gjëra: nga njëra anë, rregulltarja dëshiron t’i thotë bashkëbiseduesit se Kisha nuk janë vetëm të tjerët, nuk është vetëm hierarkia, Papa dhe ipeshkvijtë: Kishë jemi ne të gjithë, të pagëzuarit. Nga ana tjetër, ajo niset nga premisa se ekzistojnë arsye për ndryshime. Ekziston nevoja e ndryshimeve. Çdo i krishterë dhe krejt bashkësia e besimtarëve është e thirrur ta kthejë vazhdimisht zemrën kah Zoti”.
Gjatë ceremonisë së lamtumirës në aeroportin e Lahrit, Ati i Shenjtë përshkoi edhe një herë etapat kryesore të udhëtimit apostolik. Fillimisht, vizita në Parlamentin gjerman:RealAudioMP3
“Në Berlin, pata rastin e veçantë të flas para parlamentarëve të Deutscher Bundestag dhe t’u paraqes atyre disa reflektime mbi bazat intelektuale të shtetit”.
Papa kujtoi edhe bisedimet e frytshme me presidentin gjerman Vulf dhe me kancelaren Merkel e pastaj, vuri në dukje rëndësinë që pati tema e ekumenizmit dhe e dialogut ndërfetar në këtë udhëtim:
“Këtu, dua të përmend takimin me përfaqësuesit e Kishës Evangjelike në Gjermani në ish-kuvendin augustinian të Erfurtit. Jam thellësisht mirënjohës për shkëmbimin vëllazëror dhe për lutjen e përbashkët”.
Por vizita kishte si qëllim edhe përforcimin në fe të katolikëve gjermanë, të cilët kanë kaluar nëpër dy diktatura, atë naziste e atë komuniste:
“Ashtu si në vizitat e mëparshme, mundëm të shihnim sa njerëz dëshmojnë këtu fenë e tyre dhe e bëjnë të dukshme forcën e saj shndërruese në botën e sotme”.
Benedikti XVI kujtoi me gëzim, dashurinë me të cilën e rrethuan të rinjtë në lutjen mbrëmësore të Frajburgut, ku përmendi Ditët Botërore të Rinisë në Madrid. Që këtu, inkurajimi i Kishës në Gjermani që të vazhdojë me forcë e besim rrugën e fesë, e cila i kthen njerëzit në rrënjët e veta, në thelbin e Lajmit të Mirë të Krishtit:
“Nga kjo përvojë rritet siguria se “Ku është Zoti, atje është e ardhmja”. Aty ku Zoti është i pranishëm, aty ekziston shpresa e hapen perspektiva të reja, shpesh të papritura, që shkojnë përtej së sotmes e gjërave dytësore”.







All the contents on this site are copyrighted ©.