Sot bie 4 vjetori i kalimit të françeskanit shqiptar Atë Zef Pllumit në amshim. Ky
dëshmitar i paepur i Zotit dhe i kombit shqiptar na la faqe të mrekullueshme të historisë
së Ungjillit të shpresës e të qëndresës së vërtetë shqiptare. Hyji Atë e thirri
pranë vetes shumë të dashurin Atë Zef Pllumin, 4 vite më parë pikërisht si
sot më 25 shtator 2007 në spitalin romak “Gemelli”, por në mendje e në zemra tona
si dhe të atyre që e kanë njohur nga afër, ky gjigant i Kishës e i Kombit Shqiptar,
është i gjallë përgjithmonë. Edhe ne të Programit të Shqip të Radio Vatikanit,
ruajmë jo pak kujtime personale të paharrueshme të takimeve e bisedave që kemi pasur
me Atë Zef Pllumin, gjatë qëndrimit të tij në Romë e në Vatikan si dhe gjatë vizitave
tona në Shkodër e në Shqipëri. Me rastin e 4 vjetorit të kalimit të tij në shtëpinë
e Atit Qiellor, duam të vëmë edhe një herë në dukje, dëshminë e shndritshme të fesë,
të kulturës e të atdhedashurisë që na la ky Patër Françeskan heroik – siç paraqitej
me shumë dashamirësi Atë Zef Pllumi. Nuk do të harrojmë dëshminë tejet të çmueshme
të atij kalvari, pjesë e të cilit ishte edhe personalisht Atë Zefi, që përjetoi populli
shqiptar, kisha, kleri e Vendi mbarë në periudhën e errët të diktaturës komunist në
Shqipëri. Nuk do ta harrojmë aftësinë e tij të leximit të së kaluarës e të së sotmes
dhe të dialogut e të afërsisë që kishte me gjithkënd. Në përvjetorin e ndarjes së
tij nga jeta tokësore, Atë Zef Pllumin e kujtojmë me admirim e mirënjohje, ndërsa
në mendje tonë na kthehen vizionet e tij të mëdha, plotë shpresë, plotë dashuri e
fuqi ungjillore që ua transmetonte të gjithëve. Atë Zef Pllumi ende sot mungon,
i mungon Etërve Françeskanë, i mungon Kishës, botës së kulturës e shoqërisë shqiptare
për vlerat që mishëronte e dëshmonte me bindje e thjeshtësi, me kujtesë të saktë e
largpamësi. Ai konsiderohet me të drejtë si ndërgjegjja e një treve dhe historie të
tërë. Personalisht pati një jetë shumë të dhimbshme, plot vuajtje dhe sakrifica, por
gjithmonë e kurdoherë besnik ndaj Fjalës së Zotit dhe bindjeve të fesë, ideve kulturore
e kombëtare të cilat diti t'i ruaj për rreth tre dekadave të burgjeve komuniste e
t’i sjell nga errësira në dritë, nga vuajtja në liri, nga vdekja në ringjallje.