2011-09-24 15:30:50

Udhëtimi apostolik në Gjermani: Papa ngashërehet e tronditet në takimin me viktimat e pedofilisë


Dita e djeshme, e dyta e udhëtimit apostolik në Gjermani përfundoi me një takim prekës ndërmjet Papës Benediktit XVI e disa viktimave të abuzimeve seksuale bërë nga disa klerikë. Takimi u zhvillua në Seminarin e Erfurtit.
Solidariteti nuk ka as orar e nuk ndalet as para lodhjes së madhe, kur është në lojë dinjiteti i njerëzve, të cilin ndokush e ka cenuar me vepra çnderuese dhe shkelë në mënyrë të turpshme. Kështu ndodhi dje në mbrëmje, në mbarim të një dite të ngarkuar me takime e kremtime, kur Papa Benedikti XVI deshi të takonte, brena Seminarit të Erfurtit, një grup njerëzish viktima të abuzimeve seksuale bërë nga disa priftërinj e punonjës të Kishës. Papa Ratcinger – informon drejtorit i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, i cili është në delegacionin përcjellës të Atit të Shenjtë – qe thellësisht i prekur, thellësisht i tronditur dhe thellësisht i hidhëruar për tërë atë që është bërë në dëm të viktimave e ndaj familjeve të tyre”.
Benedikti XVI përshëndeti edhe disa burra e gra që punojnë e përkujdesën për njerëzit e goditur nga këto krime, që janë abuzimet seksuale, duke siguruar të gjithë të pranishmit që ata që kanë “përgjegjësi në Kishë e kanë shumë përzemër trajtimin dhe ballafaqimin e vëmendshëm e të hollësishëm të të gjitha krimeve të abuzimeve”, me impenjimin e: “promovimit e të miratimit të masave efikase për mbrojtjen e fëmijëve dhe të të rinjve”. Benedikti XVI, përfundon atë Lombardi, “është pranë viktimave dhe shpreh besimin që Zoti i mëshirshëm, Krijuesi e Shëlbuesi i të gjithë njerëzve, ti shërojë plagët e njerëzve të keqpërdorur, të abuzuar e t’u japë atyre paqen e brendshme”.
Papa, njofton atë Lombardi, ka takuar një grup: tri gra e tre burra të ardhur nga viset e ndryshme të Gjermanisë, të shoqëruar nga ipeshkvi Ackermann, që është përgjegjës i konferencës ipeshkvnore katolike gjermane për krizën e abuzimeve.







All the contents on this site are copyrighted ©.