2011-09-23 17:04:56

Shqipëri: bashkësitë fetare për një shoqëri të re


“Të gjitha bashkësitë fetare janë të vetëdijshme se sot Shqipëria është akoma një shoqëri në tranzicion: disa probleme të së kaluarës kanë mbetur pa u zgjidhur e sfidat politike, shoqërore dhe ekonomike për të ardhmen janë të mëdha. Përcaktimi i rolit të fesë në shoqërinë moderne shqiptare nuk është akoma i plotë, por bashkësitë fetare janë të vetëdijshme për rolin e tyre në ndërtimin e një shoqërie të re në Shqipëri. Megjithëse ekzistojnë disa tensione e vështirësi, qëndrimi i bashkësive fetare - që deri më sot karakterizohet nga respekti dhe përkrahja e ndërsjelltë, si edhe nga nënvizimi i vlerave të përbashkëta, si dinjiteti i njeriut – përbën një bazë të patundur për përballimin e këtyre sfidave”.
Kjo është vetëm një pjesë e dokumentit përfundimtar të takimit të Komisioneve evropiane “Drejtësi e Paqe”, që përfundoi të martën në Shqipëri, me temë “Marrëdhëniet ndërfetare dhe ndërkulturore – mundësi e sfida për solidaritetin. Kontributi shqiptar në ndërtimin e Evropës”. Përfaqësues nga 23 vende evropiane u takuan me përfaqësuesit shqiptarë të bashkësive katolike, ortodokse, myslimane, bektashi e protestante, duke bashkëndarë me ta përvojën e bashkëjetesës paqësore ndërmjet besimtarëve me fe të ndryshme. Veçanërisht prekës, çasti i kujtimit të persekutimit komunist të feve dhe përshkimi i rrugës së ringjalljes së tyre, pas rënies së diktaturës. Dokumenti përfundimtar, duke kujtuar sfidat që kanë përpara bashkësitë fetare në Evropë, thekson se ato duhet të japin prova, se janë në gjendje të udhëheqin mendjet e zemrat e njerëzve, përsa u përket çështjeve morale dhe etike, duke dhënë kontributin e tyre për të mirën e përbashkët e zhvillimin e shoqërive evropiane.







All the contents on this site are copyrighted ©.