2011-09-23 16:38:30

Papa në takim me Kishën ungjillore gjermane në Erfurt kërkon kundër shekullarizimit një fe të gjallë në Zotin


Kulmi i ditës së dytë të vizitës së Papës Benedikti XVI në Gjermani u arrit me kremtimin ekumenik në ish-kuvendin e augustinianëve në Erfurt, në të cilin morën pjesë rreth 300 vetë, katolikë e përfaqësues të Kishave protestante gjermane. Është kuvendi ku studioi dhe qëndroi Martin Luteri, i cili ishte meshtar katolik augustinian, para se të bëhej nismëtari i Reformës Protestante e të shkëputej nga Papa e Vatikani, duke u dhënë jetë Kishave Evangjelike, që sot në Gjermani numërojnë rreth 24 milion besimtarë, një e treta e popullsisë.
Doktrina katolike mbi skizmën e Luterit, përfshirë çkishërimin e tij, siç e sqaroi gjatë takimit ekumenik Papa, nuk ndryshon, megjithëse edhe vetë Ati i Shenjtë reflektoi sot shumë pozitivisht mbi përshpirtërinë e themeluesit të protestantizmit. Benedikti XVI iu referua zërave, që para vizitës së Papës përhapën opinionin se Ati i Shenjtë do t’u bëjë një dhuratë ekumenike protestantëve, duke anulluar çkishërimin e Martin Luterit. Pa përmendur pikërisht këtë, Jozef Racinger theksoi se kjo mënyrë të menduari çon drejt “moskuptimit të fesë e të ekumenizmit”. Papa nënvizoi se vizita e një Kryetari shteti në një vend mik paraprihet nga kontakte, gjatë të cilave diskutohen të mirat e të këqiat e marrëveshjes, që do të nënshkruhet më pas. Por, sqaroi Benedikti XVI:
“Feja e të krishterëve nuk është kontratë, që bazohet në peshimin e përfitimeve dhe të humbjeve tona. Feja e vetëformuar është pa vlerë. Feja nuk është diçka që e shpikim, për të cilën merremi vesh mes nesh. Është themeli mbi të cilin jetojmë. Bashkimi i të krishterëve nuk arrihet përmes peshimit të përfitimeve e të humbjeve, por duke u thelluar gjithnjë e më shumë në fe, nëpërmjet mendimit e jetës”.
Benedikti XVI nuk harroi të falenderojë të gjithë ata, që edhe nën udhëheqjen e Papës së lum Gjon Pali II, kanë punuar dhe e kanë shkrirë jetën për arritjen e bashkimit gjithnjë e më të madh të të krishterëve, duke bërë hapa përpara në fushën e ekumenizmit. Shembulli, që dha Ati i Shenjtë për katolikët, qe kardinali gjerman Lehmann.
Para se të tërhiqte vëmendjen për këtë argument, në fillim të homelisë që mbajti në kremtimin ekumenik, Papa u ndal në kuptimin e unitetit ndërmjet të krishterëve. Bashkim, theksoi Benedikti XVI, do të thotë të besosh në të njëjtin Zot, Atin e Gjithpushtetshëm, Krijuesin e qiellit e të tokës, të cilit i drejtohemi si Hyj trinitar – Ati, Biri e Shpirti i Shenjtë. Momenti aktual, në të cilin ndodhet bota, karakterizohet nga mënjanimi i Zotit. Në çastin e parë, vërejti Papa, mund të duket sikur gjërat funksionojnë edhe pa Të. “Por sa më shumë që bota largohet nga Hyji, aq më shumë bëhet e qartë se njeriu, në majën e pushtetit të vet të shpërfytyruar, në boshllëkun e zemrës e në etjen për kënaqësi e lumturi, e humb gjithnjë e më shumë vetveten”. Që këtej, thirrja e Benediktit XVI:
“Shërbimi ynë i parë ekumenik në këtë kohë, duhet të jetë dëshmia e përbashkët e pranisë së Zotit të gjallë, që kështu, t’i japim botës përgjigjen, për të cilën ka nevojë… dëshmia për Jezu Krishtin, njeri i vërtetë e Hyj i vërtetë, që jetoi me ne, vuajti për ne, vdiq për ne e me ringjalljen, hapi dykanatësh portat e vdekjes. Të përforcohemi në këtë fe! Ta ndihmojmë njëri-tjetrin për ta jetuar atë! Kjo është detyra e madhe ekumenike, që na bën të hyjmë në thelbin e lutjes së Jezusit”.
Siç kuptohet, Papa i referohej lutjes së Krishtit që të gjithë të krishterët të jenë një gjë e vetme. Gjatë kremtimit, Ati i Shenjtë shqiptoi edhe lutjen e vet për bashkimin e të krishterëve, pasuar nga lutje të tjera, shqiptuar nga të pranishmit, katolikë e luteranë. Të bashkuar, nënvizoi më pas Benedikti XVI, të krishterët duhet të përballojnë problemet e botës së sotme, sidomos të impenjohen për mbrojtjen e jetës, kundër eutanazisë dhe diagnozës para impiantimit të fëmijëve në epruvetë. Siç ka bërë shpesh, gjatë vizitës në Gjermani, por edhe më parë, Jozef Racinger denoncoi faktin se etika, në kohët e sotme, zëvendësohet nga llogaria e pasojave:
“Serioziteti i besimit në Zotin shihet nga sa e jetojmë fjalën Tij. Në kohët tona, shihet konkretisht në impenjimin për atë krijesë, që Hyji vetë e deshi sipas imazhit të vet: njeriu… ne si të krishterë duhet ta mbrojmë dinjitetin e padhunueshëm të njeriut, nga zënia deri në vdekje – në çështjet e diagnozës para impiantimit në epruvetë e deri në problemet e eutanazisë… Pa njohuri për Zotin, njeriu bëhet i manipulueshëm. Feja në Zotin duhet të konkretizohet në impenjimin tonë të përbashkët për njeriun”.
Pas kremtimit ekumenik, Ati i Shenjtë shkoi në seminarin e Erfurtit, ku kaloi drekën, për të shkuar pasdite në Ecelsbah. Në fushën para Kapelës së Shtegtimeve kremtoi Lutjet Mbrëmësore Mariane.
Kujtojmë se sipas një legjende të shekullit XVI, disa kuaj, që përdoreshin për të punuar arën, u ndalën pa u shkulur nga vendi, pikërisht në pikën ku u gjet një shtatore druri e Zojës. Aty u ndërtua kapela e që atëherë, vendi tërheq shtegtarë nga e gjithë Gjermania. Shumë popullor është “Shtegtimi me kuaj”, në të dielën e dytë pas Festës së Pasisë së Zojës, që përfundon me bekimin e kuajve. Shtatorja origjinale e Zojës ruhet brenda kapelës aktuale, rindërtuar në vitin 1801, sipas projektit të françeskanit Paskalis Gretce.







All the contents on this site are copyrighted ©.