2011-09-22 14:03:33

Presidenti Wulff: në Gjermani feja duhet të gjejë përsëri vendin dhe rolin e vet.


Një mirëseardhje të përzemërt e të ngrohtë, por pa i fshehur problemet e hapura në Kishë e në shoqërinë bashkëkohore gjermane: kjo është përmbajtja e fjalimit të Presidentit Gjermanisë Wulff drejtuar Papës Benediktit XVI në ceremoninë e mirëseardhjes mbajtur sot paradite në rezidencën presidenciale gjermane, në kështjellën Bellevue, në Berlin.
Presidenti nënvizoi se Papa Ratcinger ka ardhur “për të vizituar Vendlindjen e tij”, ku miliona njerëz presin me gëzim e kureshtje këto ditë të shtegtimit apostolik. “Ati i Shenjtë, ju erdhët në një vend ku feja nuk konsiderohet më si diçka që është e pranuar e që njihet apriori”: ky është në nga fragmentet e përshëndetjes së presidentit të republikës federale gjermane Christian Wulff drejtuar Papës, e më pas kujtoi historinë e viteve të fundit që ka ndryshuar rrënjësisht realitetin gjerman.
“Mrekullia” e revolucionit paqësore dhe ribashkimi i Gjermanisë para 22 vjetësh “pa rolin e paraardhësit tuaj Gjon Palit II, pa punën e katolikëve polakë e pa bashkësinë e krishterë brenda Ddr, nuk do kishte qenë e mundur”. “Për këtë – shtoi presidenti – dua të falënderoj të gjithë ata që asokohe kanë bashkëpunuar”.
“Keni ardhur në një vend– tha në vijim presidenti gjerman Wulff – ku Kisha vendin e saj brenda shoqërisë pluraliste duhet ta kërkojë e ta konfirmojë përsëri: e kjo mund të ndjehet që tani në një qytet siç është Berlini”.
Presidenti Wulff në anën tjetër nënvizoi edhe “angazhimin e shumë grave, të burrave e të rinjve besimtarë e njerëzve të fesë në Gjermani”, e shtoi: “Njerëzit janë në kërkim të vazhdueshëm, e vërtetë pika qendrore është pikërisht marrëdhënia ndërmjet besimit e arsyes. E kjo është krejtësisht diçka tjetër nga debati akademik”.
“Gjermania ka qenë selia e reformës, e jam jashtëzakonisht i kënaqur që ju nesër shkoni në Erfurt, qytet ku ka vepruar Luteri”. Tha më tej presidenti i Republikës federale gjermane Wulff, gjatë ceremonisë së mirëseardhjes dhe shprehi gëzimin e tij për faktin që Papë do të takojë përfaqësues të Kishës luteriane e do të kremtojë një kremtim fetar ekumenik”, në Erfurt.
Pikërisht ekumenizmi është një ndër temat që u përmend shpesh këtyre ditëve në Gjermani, me rastin e vizitës së Papës, nga i cili pritet një inkurajim në këtë drejtim.







All the contents on this site are copyrighted ©.