Papa në Gjermani: jam këtu për të takuar njerëzit e për të folur për Zotin.
Në fjalimin e parë në ceremoninë e mirëseardhjes në Kështjellën Bellevue të Berlinit,
Benedikti XVI nënvizoi se “kjo vizitë zyrtare, do t'i përforcojë marrëdhëniet e mira
ndërmjet Republikës Federale të Gjermanisë dhe Selisë së Shenjtë”, e më pas theksoi
arsyen e vizitës së tij në vendlindje: “Në rend të parë nuk kam ardhur këtu për të
synuar arritjen e objektivave të përcaktuara politike apo ekonomike, siç bëjnë me
të drejtë burrat e tjerë të shtetit, por kam ardhur për të takuar njerëzit e për të
folur për Zotin”. Në këtë vështrim, Papa vuri theksin tek temat kryesore që prekin
jetën shoqërore, por edhe tema që do të trajtohen në fjalimet e kësaj vizite katërditore
në Gjermani. Në vijim Ati i Shenjtë Ratcinger u ndal tek kultura në shoqërinë bashkëkohore: “Kultura
e sotme karakterizohet nga një indiferencë në rritje në shoqëri ndaj fesë e nga qëndrimi
që e konsideron çështjen e së vërtetës si pengesë, ndërsa i jep përparësi utilitarizmit.
Nga ana tjetër ekziston nevoja e një baze të përbashkët, të detyrueshme për bashkëjetesën
tonë, përndryshe çdo njeri jeton vetëm duke ndjekur individualizmin personal. Feja
është njëra ndër themelet për një bashkëjetesë të suksesshme. “Ashtu si fetë kanë
nevojë për liri, po kështu, edhe liria ka nevojë për fe”. E duke folur mbi këtë
të drejtë themelore të njeriut, që është pikërisht liria, Papa teolog përmendi bazën
e lirisë dhe shtoi: “Liria ka nevojë për marrëdhënie të mirëfillta e aspirata më
të larta. Fakti që ekzistojnë vlera që nuk janë absolutisht të manipulueshme, është
një garanci e vërtetë e lirisë sonë. Një e mirë e tillë ekziston për të gjithë së
bashku; prandaj duhet të interesohemi gjithmonë edhe për të afërmit tanë. Liria nuk
mund të jetohet nëse mungojnë këto marrëdhënie”. Benedikti XVI nënvizoi: “Në bashkëjetesën
njerëzore nuk jepet liria pa solidaritet. Ajo që bëjmë në dëm të të tjerëve, nuk
është liri, por veprim i gabuar, që i dëmton ata. Kjo nuk vlen vetëm për fushën private,
për jetën personale, por edhe për shoqërinë. Sipas parimit të solidaritetit e të ndihmës,
shoqëria duhet t'i japë hapësirë të mjaftueshme për zhvillim strukturave më të vogla
e, në të njëjtë kohë, duhet t’i mbështesë, në mënyrë që ato, një ditë, të mund të
qëndrojnë vetvetiu me forcat e veta”. Papa Benedikti XVI kujtoi edhe historinë
gjermane: “Kështjella Bellevue me të kaluarën e saj të lavdishme është – si edhe
shumë ndërtesa tjera të qytetit të Berlinit – një dëshmi e historisë gjermane. Vështrimi
i qartë edhe mbi faqet e errëta të së kaluarës na mundëson të mësojmë prej saj e të
marrim shtytje për të sotmen. Republika Federale e Gjermanisë është bërë ajo që është
sot duke u përshkuar nga forca e lirisë së modeluar nga ndërgjegjja para Zotit e para
njëri-tjetrit. Ajo ka nevojë për këtë dinamikë, që përfshin të gjitha fushat e jetës
njerëzore për të vijuar zhvillimin në kushtet aktuale. Ka nevojë, në një botë, që
e ndjen domosdoshmërinë e përtëritjes së thellë kulturore dhe të rizbulimit të vlerave
themelore, mbi të cilat duhet ndërtuar një e ardhme më e mirë”.