Më 22 shtator kalendari përkujton 32 Martirët e Lumtur Salezianë spanjollë.
Më 22 shtator kalendari përkujton 32 Martirët Salezianë spanjollë. Më 22 shtator
kalendari kishtar përkujton 32 martirët e Valencias të Spanjës. Arrestimet e 32 salezianëve,
që do të shpalleshin të Lum, nisën gjatë luftës civile në Spanjë më 22 korrik të vitit
1936 me kapjen e don Josè Kalasanc. Së bashku me të iu vunë prangat tetë salezianëve
të tjerë, në sa po ndiqnin një kurs për ushtrimet shpirtërore. Pas një kalvari
të gjatë, u vranë të gjithë, në rrethana e vende të ndryshme. Dy meshtarë të rinj
të Alkoi (provinçë e Alikantes) munden të shpëtojnë përkohësisht, por më pas u arrestuan
dhe u vranë në vjeshtën e të njëjtit vit. Martirët e tjerë u vranë në Barcelonë e
në rrethina. Pas kryengritjes ushtarake të 17 korrikut 1936 kundër Republikës Spanjolle,
shpërtheu menjëherë lufta. Që në fillim të kësaj tragjedie ndodhën ngjarje që tregonin
qartë se po niste persekutimi fetar. Historiani anglez Hug Tomas pohon se në asnjë
çast të historisë evropiane e ndoshta edhe botërore, nuk është shprehur një urrejtje
kaq e tmerrshme kundër fesë e të gjitha veprimtarive të saj. E, duke kujtuar salezianët
e mbytur me këtë rast, imzot Olaekea, salezian, kryeipeshkëv i Valencies, në vitin
1957 shkruante: “Asnjë mendje e shëndoshë nuk mund të vërë në dyshim se u vranë për
shkak të urrejtjes që kishin vrasësit e tyre kundër Krishtit. 32 salezianët ishin
të vetëdijshëm se po i vrisnin vetëm pse ishin priftërinj e rregulltarë. E pranuan
vdekjen për t’i qëndruar besnikë Hyjit e për të mos hequr dorë nga feja. Prandaj
ditët e tyre të fundit qenë plot me shenja që flasin për fenë e për besnikërinë e
tyre: deklaruan se e kishin mbështetur gjithë shpresën në Zotin e se besonin plotësisht
në Provaninë e tij hyjnore, e ndihmuan njëri-tjetrin me dashuri vëllazërore për të
përballuar vuajtjet e burgut e të internimit, u lutën së bashku, duke kremtuar sa
herë mundnin, Eukaristinë e duke i falur të gjithë ata që po i mundonin e po përgatiteshin
t’ua merrnin edhe jetën. Biri im – i thoshte saleziani laik Angel Ramos një ish-nxënësi
të tij, që e kishte paditur si rregulltar – Zoti të ndjefë për të keqen që po më bën,
po edhe unë të kam falur. Gjon Pali II i shpalli të lum më 11 mars të vitit 2001,
së bashku me 201 martirë të tjerë të dioqezës së Valencies. Kujtimi i tyre është
caktuar në datën 22 shtator, ndërsa vijon ende Çështja e Lumturimit për 42 salezianë
të Madridit e 21 të Seviljes, të gjithë të martirizuar gjatë Luftës Civile në vitin
1936.