2011-09-22 18:17:21

Krishterimi ka rrënjë të përbashkëta me hebraizmin, nënvizoi Papa në takimin me hebrenjtë gjermanë.


Menjëherë pas takimit me parlamentarët gjermanë në selinë e Rajhstagut, në një nga sallat e tij, Papa u takua me një përfaqësi të Bashkësisë Hebraike. E përshëndeti kryetari i Bashkësisë, Diter Grauman.
Kujtojmë se bashkësia hebraike më e lashtë e Gjermanisë dhe e krejt Evropës qendrore e veriore është ajo e Këlnit, e cila përmendet në dokumente të vitit 321. Historia e hebrenjve në Gjermani karakterizohet nga persekutime të shumta, më i tmerrshmi i të cilëve ka qenë pa dyshim Holokausti i regjimit nazist, që internoi e shfarosi në kampet e përqendrimit 6 milion hebrenj. Sot, bashkësia hebraike gjermane numëron rreth 105 mijë vetë, të shpërndarë në 108 bashkësi në të gjithë vendin dhe të organizuar në 23 shoqata rajonale, me në krye Këshillin Qendror të Hebrenjve. Bashkësitë më të mëdha jetojnë në Berlin (11 mijë), Mynih (9 mijë), Frankfurt (8 mijë) dhe Duseldorf (7 mijë). Shumica e hebrenjve janë emigrantë, ardhur nga ish-Bashkimi Sovjetik në fund të Luftës së Ftohtë. Gjermania zë vendin e tretë në Bashkimin Evropian për nga numri i hebrenjve (Franca 600 mijë, Britania e Madhe 300 mijë), por është i vetmi vend ku ata shtohen.
Gjatë fjalës së tij, Papa nënvizoi rrënjët e përbashkëta të popullit hebraik e të Kishës Katolike; kujtoi se para shfarosjes naziste, në Gjermani jetonin gjysëm milion hebrenj e se pas luftës, nuk u bë asgjë për t’i ringritur bashkësitë e lashta të tyre, pavarësisht se shumë hebrenj erdhën nga Lindja për të shkuar drejt SHBA-ve, ose Izraelit. Benedikti XVI përmendi pogromin e famëkeqes “natë të kristaleve”, ndërmjet 9 e 10 nëntorit 1938, kur mijëra hebrenj në Gjermani, Çekosllovaki dhe në Austri u çuan në kampet e përqendrimit e dyqanet e shtëpitë e tyre u shkatërruan me një furi të paparë. Por Papa foli edhe për të Lumin katolik Bernhard Lihtenberg, kryepriftit të Katedrales së Berlinit, i cili u arrestua dhe vdiq gjatë transferimit për në kampin e Dakaut, vetëm sepse lutej për hebrenjtë e persekutuar e u tregonte atyre solidaritet të krishterë. Ati i Shenjtë shfrytëzoi rastin për të nënvizuar ç’ndodh kur njeriu mendon se mund të zëvendësojë Zotin:
“I gjithpushtetshmi Hitler ishte një idhull pagan, që dëshironte të zëvendësonte Zotin e Biblës, Krijuesin e Atin e të gjithë njerëzve. Kur nuk respektohet ky Zot i vetëm, humbet përgjithmonë edhe respekti për dinjitetin e njeriut. Se ç’është në gjendje të bëjë njeriu, që refuzon Hyjin e, se ç’fytyrë mund të ketë një popull, që i thotë “jo” atij Hyji, e kanë treguar imazhet e tmerrshme të kampeve të përqendrimit, në fund të luftës”.
Më pas, Ati i Shenjtë hyri në hollësirat e dialogut të krishterë me hebrenjtë, duke theksuar afërsinë e krishterimit me hebraizmin:
“Duhet të jemi gjithnjë e më të vetëdijshëm për afërsinë tonë të brendshme me hebraizmin. Për të krishterët nuk mund të ketë ndërprerje të ngjarjeve shëlbimprurëse… Fjala e Jezusit në mal nuk e hedh poshtë ligjin e Moisiut, por zbulon mundësitë e fshehura të tij e parashtron kërkesa të reja. Në një shoqëri gjithnjë e më të shekullarizuar, dialogu ndërmjet hebraizmit e katolicizmit duhet ta përforcojë shpresën e përbashkët në Zotin. Pa këtë shpresë, shoqëria e humb humanitetin e saj. Hebrenj e të krishterë kanë përgjegjësinë e përbashkët për zhvillimin e shoqërisë, e cila ka gjithnjë edhe një përmasë fetare”.







All the contents on this site are copyrighted ©.