2011-09-22 17:13:01

Benedikti XVI, fjalim historik para Bundestagut gjerman: këndvështrimi pozitivist i botës nuk mjafton për arritjen e drejtësisë e për mbrotjen e dinjitetit të njeriut


Mbrojtja e dinjitetit dhe e të drejtave të njeriut është detyrë e politikës, e cila duhet të pranojë se sot, parimi i shumicës në marrjen e vendimeve, arsyeja pozitiviste, që pranon si të drejtë vetëm ç’mund të verifikohet ose të përgënjeshtrohet, nuk mjafton. Pa doreza, Papa Benedikti XVI, që filloi sot udhëtimin e tij të 21-të ndërkombëtar në Gjermani, mbajti fjalimin më të shumëpritur në selinë e Parlamentit federal gjerman në Berlin, objektivi kryesor i të cilit – e tha vetë Ati i Shenjtë – ishte thirrja urgjente për të diskutuar gjerësisht për bazat e ndërgjegjes publike, e cila sot ngrihet kryesisht mbi këndvështrimin pozitivist për botën.RealAudioMP3
Papa nisi pra në atdheun e vet, vizitën e tij të tretë, që do të vazhdojë deri të dielën, më 25 shtator. Tri janë etapat e saj: Berlini, Erfurti dhe Frajburgu. Secila nga këto qytete do t’i japë mundësinë Benediktit XVI të theksojë një aspekt të caktuar, të rëndësishëm për Gjermaninë. Në kryeqytet, nga ku do të largohet nesër, kulmi i ditës ishte pa dyshim takimi me deputetët gjermanë, në selinë e Parlamentit, i ftuar nga presidenti i tij. Fjalimi i Atit të Shenjtë nuk pati karakter fetar, por i drejtohej ambientit laik e politik, duke paraqitur këndvështrimin e krishterë mbi jetën shoqërisë civile të sotme, me vëmendje të veçantë për rolin e Evropës dhe gjendjen aktuale në Gjermani. Që në fillim, Jozef Racinger theksoi:
“Politika duhet të jetë një impenjim për drejtësinë e të krijojë kështu, kushtet bazë për paqen. Natyrisht, politikani kërkon suksesin, që në vetvete i jep mundësinë e veprimtarisë së frytshme politike. Por suksesi i nënshtrohet kriterit të drejtësisë, vullnetit për të zbatuar ligjin dhe inteligjencës të së drejtës. Suksesi mund të jetë edhe joshje e kështu, i hap rrugën tjetërsimit të së drejtës, shpërfytyrimit të drejtësisë”.
Por si mund ta dallojmë të mirën nga e keqja, të drejtën nga ajo, që vetëm duket si e drejtë. Deri më sot, bota ka përdorur për këtë kriterin e shumicës. Por, nënvizoi Papa, në çështjet themelore të dinjitetit dhe të të drejtave të njeriut, parimi i shumicës nuk mjafton. Ati i Shenjtë përmendi si shembull, ata që kanë luftuar nazizmin, apo komunizmin, të cilët nuk ishin shumicë, të paktën fillimisht, por patën të drejtë të ngrinin zërin e të fillonin betejën kundër tmerreve të të dyja regjimeve totalitare. Papa iu referua argumentit më të dashur të tij, lidhjes ndërmjet fesë e arsyes, ndërmjet natyrës e arsyes, duke kujtuar se burimet perëndimore të së drejtës, që është shndërruar në legjislacione në të gjithë Evropën, duhen gjetur në takimin ndërmjet krishterimit - që nuk i ka imponuar kurrë ligjet si hyjnore, por i ka bazuar gjithnjë në harmoninë ndërmjet natyrës e arsyes, ndërmjet arsyes objektive e asaj subjektive – dhe filozofisë se grekëve e së drejtës romake. Përmes Mesjetës së krishterë e Iluminizmit, ky konceptim ka ardhur deri në ditët tona, me shpalljen e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Por, gjatë 50 vjetëve të fundit, situata ka ndryshuar në mënyrë dramatike, theksoi Benedikti XVI:
“Ideja e së drejtës natyrore konsiderohet sot si doktrinë e çuditshme katolike, mbi të cilën nuk ia vlen të diskutohet jashtë ambienteve katolike, madje, njerëzit kanë turp edhe t’ia përmendin emrin… Është bërë themelore teza, sipas së cilës ka një humnerë të pakapërcyeshme ndërmjet jetës si është e si duhet të jetë. Nga jeta si është, nuk mund të rrjedhin detyra, sepse qenkëshin dy fusha krejtësisht të ndryshme nga njëra-tjetra”.
Ky, nënvizoi Papa, është këndvështrimi pozitivist mbi botën, sipas së cilës natyra është vetëm një grumbull me të dhëna objektive, që lidhen sipas parimit shkak-pasojë, por nuk ka karakter etik. Sipas pozitivistëve, denoncoi Jozef Racinger, vetëm kjo është shkencë, pasi vetëm ç’është objektive mund të verifikohet, ose të përgënjeshtrohet. Fatkeqësisht, mbi këtë këndvështrim bazohet ndërgjegjja kolektive:
“Kjo është një situatë dramatike, që u intereson të gjithëve, mbi të cilën është i nevojshëm një diskutim publik; ftesa urgjente për ta bërë këtë është qëllimi kryesor i fjalimit tim”.
E ky fjalim historik i Papës nuk pati asgjë ideologjike. Në të vërtetë, Benedikti XVI pranoi se këndvështrimi pozitivist i botës është një pjesë e rëndësishme e ndërgjegjes kolektive e duhet ta ruajmë, por në tërësinë e tij, ai nuk përbën një kulturë që u përgjigjet plotësisht njerëzve dhe është e pamjaftueshme për ta. Në të kundërt, kërcënon humanitetin e tyre, siç vërehet në ambiente të caktuara të Evropës, ku pozitivizmi është në bazën e kulturës së ligjit:
“Kështu, para kulturave të tjera të botës, Evropa e vë veten në pozicionin e mungesës së kulturës e njëkohësisht, zgjon rryma ekstremiste e radikale. Arsyeja pozitiviste, që paraqitet si diçka që përjashton të tjerat e nuk është në gjendje të perceptojë ç’nuk është funksionale, u ngjan ndërtesave me betonarme pa dritare, në të cilat jemi ne, që rregullojmë klimën dhe dritën e nuk duam t’i marrim të dyja nga bota e madhe e Zotit… Duhet t’i hapim sërish dykanatësh dritaret, duhet të rishohim madhështinë e botës, të qiellit e të tokës dhe të mësojmë si ta përdorim drejt”.
Pozitivizmi i jep shumë rëndësi materies, duke rrezikuar që ajo të manipulohet për qëllime të ndryshme, që sjellin deri shkatërrimin. Benedikti XVI lavdëroi impenjimin ekologjik të Gjermanisë, që nga vitet ’70 e, theksoi se edhe natyra e njeriut nuk duhet manipuluar sipas qejfit:
“Njeriu nuk është vetëm liria, që e krijon ai vetë. Njeriun nuk e krijon vetveten. Ai është shpirt e vullnet, por edhe natyrë e, vullneti i tij është i drejtë kur ai e dëgjon natyrën, e respekton e kur e pranon veten ashtu siç është, i pakrijuar nga vetvetja. Pikërisht kështu e vetëm kështu realizohet liria e vërtetë njerëzore”.
Trashëgimia kulturore e Evropës, përfundoi Papa fjalimin e tij para Bundestagut gjerman, tregon se ideja e të drejtave të njeriut, ajo e barazisë para ligjit, ajo e padhunueshmërisë së dinjitetit njerëzor dhe vetëdija për përgjegjësinë e veprimtarisë së njerëzve, bazohen në bindjen se ekziston një Zot, që ka krijuar botën dhe njeriun, të cilit i ka vënë vulën e vet:
“Kultura e Evropës lindi nga takimi ndërmjet Jeruzalemit, Athinës e Romës – nga takimi ndërmjet fesë në Zotin e Izraelit, arsyes filozofike të grekëve dhe mendimit juridik të Romës. Ky takim i trefishtë formon identitetin e brendshëm të Evropës. Me vetëdije për përgjegjësinë e njeriut para Zotit e duke njohur dinjitetin e padhunueshëm të njeriut, të çdo njeriu, ky takim fiksoi kriteret e së drejtës, mbrojtja e të cilave është detyra jonë në këtë çast historik”.







All the contents on this site are copyrighted ©.